“Le të hajë m*** ai kolegu im”, si Xhevahir Lita saboti hetimet për Pëllumb Gjokën, dhe si ia zhdukte provat prokurorit të ri

Fakte tronditëse kanë dalë në dosjen e SPAK, ku veç vrasjeve dhe planeve kriminale të grupit Bajri në Shkodër, një rol kyç në aktivitetin e grupit ka dhe prokurori i qytetit, Xhevahir Lita.

Sipas komunikime në aplikacionin “Sky”, Lita rezulton të jetë zhytur thellë, jo vetëm me lirimin e vrasësve, por dhe me pushimin e dosjes së pronave në Velipojë që janë plaçkitur nga Pëllumb Gjoka.

Këtë dosje pronash Xhevahir Lita ishte ngarkuar ta hetonte me një koleg tjetër të quajtur Gëzim Spahiu.

Ky i fundit një magjistrat i ri, i etur për të hetuar deri në fund skandalin e tjetërsimit të rërës së Velipojës nga Pëllumb Gjoka.

Por me një Xhevahir Lita nëpër këmbë, që në atë kohë ishte bërë zv/drejtues i prokurorisë Shkodër, Gëzim Spahi nuk mund të çante dot i vetëm dhe t’i jepte zgjidhje kallëzimit të Dedë Markut dhe Lule e Donald Zefit.

Për shkak të avancimit në hetime, Xhevahir Lita, ndërhynte në mënyrë të vazhdueshme tek Spahiu, duke sjellë debate të forta mes dy prokurorëve të çështjes.

Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore, Xhevahir Lita bisedon në koherencë me subjektin kryesor të këtij hetimi Pëllumb Gjoka, duke e informuar se kush do pyetet, çfarë veprime do kryhen dhe ekspertimet grafike të firmave mbi dokumenta.

Në 28 tetor 2020, Pëllumb Gjoka i shkruan Xhevahir Litës duke i thënë: ” …je bërë mendjemadh tash që u bane zv/prok…”.

Komunikimi mes tyre vijon për dërgimin e një shkrese në një institucion.

Lita i thotë Pëllumbit:”…për atë letrën po merem, se atij tjetrit i ka thënë dhe një tjetër por bën kakerdhi. Po do e zgjidh pa merak…”.

Të dyja palët flasin për kapjen e ekspertëve në Institutin e policisë Shkencore me qëllim orientimin që aktet e ekspertimit të dilnin në konkluzionin siç kërkonte Xhevahir Lita dhe Pëllumb Gjoka.

Ndërsa në datën 24 shkurt 2021, Xhevahir Lita ka biseduar me  Pëllumb Gjokën lidhur me një akt- ekspertimi për të cilin Gjoka është në dijeni dhe Lita ka dërguar mesazhet:

“…shih se ndoshta ka bere nje vendim per kryerje e ekspertimit e procures…takova dhe, Valbonën dhe me tha se ka marrë mostra për ti derguar per ekspertim…une jam e bindur por me tha thuaj Pllumit të kapë dikë që të dalë tamam…po edhe këtij akti ekspertimi bjeri mbrapa që të qepet mirë si dosje se ai kolegu im fillon bën kakërdhi…”.

Gjoka i kërkon Litës që ta mbyllë si çështje dhe i dërgon mesazhet: “… kërkoja nesër për ta myll…se edhe nje kafe të duhet ty….Se të kam ba tel 300 her…Mik me ke edhe te kam, po çdo gja ka lezetin e vet….Më shkon mua se kafja është bereqet… Kshu që kujtoju neser ti japesh drejtim…”.

Xhevahir Lita i përgjigjet: se i ka marrë përgjigjet i ka fotokopjuar por ka harruar ti marrë për t’ia treguar Pëllumbit në Tiranë.

Lita e mbyll bisedën duke dërguar mesazh: “…të bëjmë dhe këtë ekspertim të dalë se ka firmosë vetë Dranja te prokura dhe pastaj le të hajë një m***t ai kolegu im…”.

Ofendimi i rëndë i adresohet për prokurorin e ri, kolegun e tij Gëzim Spahiu, i cili nuk pranoi të nënshtrohej përballë trysnisë financiare të Pëllumb Gjokës.

Lita orienton të kallëzuarin e kësaj dosje Pëllumb Gjoka, se në shkurt 2021 do dërgojë oficerin Çlirim Halili për të pyetur hallën e tij, Drande Hotaj alias Gjoka.

Gjithçka ka qenë e mirë orkestruar dhe se i pranishëm në marrjen në pyetje në ambientet e shtëpisë të të moshuarës ka qenë dhe Enea Hoti.

Në dosjen hetimore thuhet se Drande Hotaj alias Gjoka halla e Pëllumbit nga Malësia e Madhe, ka përfituar një tokë në Pulaj Velipojë, me sipërfaqe prej 390 dylymë.

Të cilën dyshohet se e ka përfituar në mënyrë të paligjshme, me dokumenta të falsifikuara.

Dyshimet janë se për kërkesat e paraqitura pranë organeve shtetërore, të bëra nga Ardian Beci, njeri me 8 klasë por individ që shfaqet si personi i autorizuar me prokurë nga Drande Hotaj, janë përdorur dokumente të falsifikuara, me qëllim marrjen në cilësinë e “ish-pronares” të kësaj toke.

Pas gjithë kësaj skeme dhe industrie falsifikimesh, ka dyshime të forta se qëndron pikërisht biznesmeni i kazinove “Imperial”, Pëllumb Gjoka, miku i tij Ardian Beci dhe shefja e financës së kompanisë “Imperial” Sonila Boga, që ka ndjekur proceset gjyqësore në tre shkallët gjyqësore, duke qëndruar si përfaqësuese ligjore e të moshuarës Drande Hotaj alias Gjoka.

Kjo e fundit rezulton të mos ketë ndjekur asnjë gjyq dhe njëherësh, as e di ku ndodhet prona.

Ujërat lëviznin nën rrogoz, por në fakt konflikti doli në sipërfaqe sapo në teren u shfaq biznesmeni strategjik Pëllumb Gjoka, i cili i kërkoi në mënyrë ultimative shtetasit Dedë Marku që të braktiste lokalin “Devi”, pasi toka tashmë i përkiste atij.

Kallëzimi i  Dedë Markut dhe Lule Zefit kundër Pëllumb Gjokës dhe personave të tjerë, u pushua në 13 korrik 2022, nga prokurorja Franceskina Lekani.

Ndërsa kërkesa e saj është pranuar në nëntor 2022 nga gjyqtari Arbër Çela. Tashmë kjo dosje është tërhequr nga SPAK dhe po hetohet jo vetëm Pëllumb Gjoka dhe Xhevahir Lita, por dhe persona të tjerë./Ora News


Shtuar 6.08.2023 17:06