Një i vrarë dhe 20 të plagosur nga sherri në Prishtinë, Sveçla: Dështim i drejtësisë, palët e përfshira kanë dhjetëra vepra penale

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas rastit të mbrëmshëm në lokalin “Bon Vivant”, ku pas të shtënave me armë zjarri u vra një person dhe u lënduan 20 të tjerë.

Sveçla ka thënë se palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale, për të cilët thotë se kanë qenë të lirë për arsye të dështimeve të drejtësisë, raporton Express.

“Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë.

Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme!  Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre”, ka shkruar Sveçla.


Shtuar 5.08.2023 13:46