EMRI/ Ndalohet nënkomisari në Durrës, si u bënte presion të arrestuarve për lëndë narkotike

Një oficer policie është ndluar në Durrës, pasi akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Bëhet fjalë për Ardit Xhafën, 31 vjeç, me detyrë N/komisar në Seksionin e Hetimit të Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Ai akuzohet se duke shfrytëzuar pozicionin, ushtronte presion dhe mashtronte shtetasit, që shoqëroheshin me doza narkotike, kundrejt përfitimeve monetare.
Njoftimi:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës – Kavajë) në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme në AMP dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka bërë ndalimin në flagrancë të oficerit të policisë N/komisar Ardit Xhafa, 31 vjeç, në Seksionin e Hetimit të Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Ndalimi u krye në funksion të procedimit të regjistruar nga kjo Prokurori mbi dyshimet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Nga hetimet e kryera janë arritur të dokumentohen veprimet korruptive të oficerit A.XH., i cili duke keqpërdorur atributet që i jep detyra si oficer në Seksionin e Hetimit të Narkotikëve në DVP Durrës e duke shfrytëzuar pozicionin, ushtronte presion dhe mashtronte shtetasit, që shoqëroheshin me doza narkotike, kundrejt përfitimeve monetare.

Hetimet vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundraligjshme.


Shtuar 3.08.2023 18:03