Amazon, Google, Meta, Microsoft dhe firma të tjera kryesore në zhvillimin e teknologjisë së Inteligjencës Artificiale kanë rënë dakord të përmbushin një sërë masash kontrolli jodetyruese të propozuara nga administrata e Presidentit Joe Biden lidhur me këtë teknologji.
Shtëpia e Bardhë tha të premten se shtatë kompani amerikane janë angazhuar që produktet e tyre të Inteligjencës Artificiale të verifikohen se janë të sigurta përpara se t’i bëjnë ato publike.
Pjesë e këtij zotimi është edhe pranimi i mbikëqyrjes nga palët e treta të funksionimit të sistemeve të Inteligjencës Artificiale për përdorim të gjerë, megjithëse nuk janë ofruar detaje se kush do të verifikojë teknologjinë ose kush do t’i mbajë kompanitë përgjegjëse.
Një rritje e investimeve për pajisjet që funksionojnë me Inteligjencë Artificiale duke hartuar tekst të ngjashëm me atë që shkruajnë vetë njerëzit dhe të prodhojnë imazhe të reja janë bërë menjëherë të preferuara nga publiku por edhe kanë nxitur shqetësimin për aftësinë e tyre për të mashtruar njerëzit dhe për të përhapur dezinformata.
Katër kompanitë më të mëdha të teknologjisë, së bashku me krijuesin e “ChatGPT”, “OpenAI” dhe firmat Anthropic dhe Inflection, janë zotuar për verifikim “të kryer pjesërisht nga ekspertë të pavarur” për t’u mbrojtur nga rreziqet kryesore, duke përfshirë sigurinë kibernetike, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
Ky verifikim do të shqyrtojë gjithashtu potencialin për dëme ndaj shoqërisë për shembull nga paragjykimi dhe diskriminimi, dhe rreziqe teorike rreth sistemeve të avancuara të Inteligjencës Artificiale që mund të marrin përsipër kontrollin e sistemeve fizike.
Ata gjithashtu do të raportojnë publikisht të metat dhe rreziqet në teknologjinë e tyre, përfshirë efektet që mund të ketë ajo tek nxitja e paragjykimeve, tha Shtëpia e Bardhë.
Angazhimi jo i detyrueshëm i kompanive të teknologjisë ka për qëllim të reagojë me shpejtësi ndaj rreziqeve nga Inteligjenca Artificiale përpara miratimit të ligjeve nga Kongresi për kontrollin e tyre, ndonëse miratimi i këtyre ligjeve është pjesë e planeve afatgjata.
Drejtuesit e kompanive të teknologjisë pritet të takohen me Presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë të premten.
Disa kritikë që duan rregullimin me ligj të Inteligjencës Artificiale thanë se vendimi i administratës Biden është një fillim i mirë, por duhet bërë më shumë për t’i mbajtur kompanitë dhe produktet e tyre përgjegjëse.
Disa ekspertë dhe konkurrentë të rinj shqetësohen se lloji i rregullores që po qarkullon mund të jetë një ndihmë për kompanitë e mëdha dhe më të pasura si ‘OpenAI’, ‘Google’ dhe ‘Microsoft’ pasi firmat më të vogla janë përjashtuar për shkak të kostos së lartë të zhvillimit të sistemeve të Inteligjencës Artificiale.
Disa vende janë duke shqyrtuar mënyra për të vendosur rregulla për Inteligjencën Artificiale, përfshirë ligjvënësit e Bashkimit Evropian të cilët po negociojnë rregulla gjithëpërfshirëse për Inteligjencën Artificiale për bllokun 27-vendesh, diçka që mund të kufizojë aplikacionet që konsiderohen të kenë rreziqet më të larta.
Shtëpia e Bardhë tha të premten, 21 korrik, se ka biseduar me disa vende për masat jodetyruese me të cilat u pajtuan kompanitë kryesore amerikane.
Premtimi është shumë i përqendruar në rreziqet për sigurinë, por nuk trajton shqetësimet e tjera përfshirë ndikimin në vendet e punës dhe konkurrencën në treg, burimet mjedisore të nevojshme për të ndërtuar modelet e IA-së dhe shqetësimet e të drejtave të autorit kur bie fjala tek shkrimet, artin dhe punët e tjera të krijuara nga njeriu që përdoren për të mësuar sistemet e Inteligjencës Artificiale se si të prodhojnë përmbajtje të ngjashme me njerëzit. /VOA/