Analisti Genc Burimi, i cili ka intervistuar avokatin që do të mbrojë Sali Berishën në Francë në gjyqin ndaj sekretarit të DASH, ka folur mbi mundësinë që ish-kryeministri të kërkojë azil.
I pyetur nga panelistet në emisionin OPEN, Burimi tha se mund të ketë një skenar të tillë, por kjo është vetëm hipotezë.
“Është një rast i veçantë. Janë dy shtetas të huaj që gjykohen në Francë. Unë mendoj se avokati po studion. Mendoj se procedura i kap afatet. Nëse deklarata është bërë më 15 maj nga DASH, duhet që deri më 15 gusht hetimi të ketë përfundur. Nëse kërkohet gjykim i menjëhershëm, pa hetim, atëherë tejkalohen afatet.
Avokati mund të shkojë deri aty deri sa të thotë se SHBA-të janë në konflikt interesi, pasi amerikanët në Shqipëri kanë financuar reformën në drejtësi. Dhe vendosja në listën e zezë implikon drejtësinë. Nëse Berisha i druhet ndonjë reprezalje në Shqipëri, avokati kërkon azil politik.”, tha Burimi.
Pas shpalljes “non grata”, ish-kryeministri Sali Berisha paditi në një gjykatë franceze, sekretarin amerikan të Shtetit, Blinken. Ai pajtoi avokatin e njohur të VIP-ave, Jean Yves Le Borgne, ndërsa nuk tregoi se kush do ta paguajë atë.