Bekteshi: BDI mund të jetë partia e dytë në zgjedhjet e ardhshme

Ministri i ekonomisë nga radhët e BDI-së, Kreshnik Bekteshi thotë se në zgjedhjet e ardhshme do të rritet mbështetja për BDI-në.

Ai këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për Zërin e Amerikës.

I pyetur nëse në rezultatin e zgjedhjeve mund të ndikohet nga mosmarrëveshjet brenda partisë, Bekteshi nënvizon se shembuj të tillë në BDI ka pasur që nga formimi i saj në vitin 2002 dhe është i bindur se mbështetja për partinë do të rritet në zgjedhjet e ardhshme, përcjell INA.

“Në zgjedhjet e ardhshme BDI do të jetë lider në bllokun politik shqiptar dhe sipas analizave të fundit mund të jetë partia e dytë në nivel shtetëror”, theksoi Bekteshi.

I pyetur nëse mosmarrëveshja brenda partisë mund të ketë ndikim, ai thotë:

“Kemi shembuj të tillë që nga themelimi në vitin 2002. Kjo ndodh në të gjitha partitë politike. Më e rëndësishmja është që misioni, programi, ideja, vizioni i BDI-së të përkthehet në programe dhe projekte qeveritare për të mirën e qytetarëve, prandaj edhe mbështetja për BDI-në po rritet dhe kështu do të jetë me siguri edhe në edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.

Sipas tij, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nëse do jenë të rregullta, duhet të mbahen pas rreth një viti, duke pasur parasysh mandatin katërvjeçar që ka marrë përbërja aktuale parlamentare në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik 2020.


Shtuar 15.07.2023 07:41