Samiti i NATO-s, Ministrja Xhaçka: Rikonfirmuam angazhimin tonë në mbështetjen e Ukrainës

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi se në samitin e NATOS në Vilnius u rikonfirmua angazhimin e Shqipërisë për të rritur më tej mbështetjen politike ndaj Ukrainës.

Në një mesazh në ‘Facebook’ Xhaçka thekson se në samit u vendos që të themelohet këshilli NATO-Ukrainë, një organ i ri i përbashkët ku Aleatët do të ulen si anëtarë të barabartë për të çuar përpara dialogun politik.

“Në Samitin e NATO-s në Vilnius:

Rikonfirmuam angazhimin tonë për të rritur më tej mbështetjen politike dhe praktike për Ukrainën ndërsa ajo vazhdon të mbrojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.
Vendosëm të themelojmë Këshillin NATO-Ukrainë, një organ i ri i përbashkët ku Aleatët dhe Ukraina do të ulen si anëtarë të barabartë për të çuar përpara dialogun politik, angazhimin, bashkëpunimin dhe aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në NATO.

Me Ministrat e Jashtëm të NATO-s theksuam rolin vendimtar të bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe NATO për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, në veçanti për Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën.

Gjithashtu theksova mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për partnerët tanë si Bosnja Hercegovina , Gjeorgjia dhe Moldavia të prekur nga situata aktuale e sigurisë.”, thuhet në mesazhin e Xhaçkës.


Shtuar 13.07.2023 10:01