Samiti i NATO-s, Rama niset drejt Lituanisë, takim me Mitsotakis për çështjen Beleri dhe marrëdhëniet dypaleshë

Sot, 10 korrik, kryeministri Edi Rama, do të niset drejt Lituanisë, pasi do të marrë pjesë në samitin e NATO-s. Gjatë qëndrimit në Vilnius, kryeministri shqiptar pritet të takohet edhe me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis.

Burime bëjnë me dije se dy liderët do të diskutojnë për marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve, por edhe për çështjen Beleri.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave

Liderët e NATO-s do të takohen në Vilnius më 11 dhe 12 korrik për të trajtuar një sërë çështjesh, duke nisur nga ndasitë lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës dhe pranimin e Suedisë, e deri te rritja e furnizimeve me municion dhe shqyrtimi i planeve të mbrojtjes pas shumë dekadash. Ky do të jetë samiti i katërt i NATO-s që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, pasi samiti i parë ishte mbajtur virtualisht më 25 shkurt 2022, një ditë pasi Rusia nisi luftën. Dy samitet e tjera janë mbajtur në Bruksel dhe Madrid./albeu.com/


Shtuar 10.07.2023 07:51