Dhuna e Rrajave shkaktoi “tërmet” në politikë, sot propozimi në Presidencë për emërimin e Ministrit të ri të Brendshëm, Taulant Balla

Kryeministri Edi Rama njoftoi dy ditë më parë shkarkimin nga detyra të Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

Lajmin e bëri publik vetë shefi i qeverisë përmes një postimi në Twitter, ku tha se ditën e hënë (sot 10 korrik) do t’i propozojë Presidentit Bajram Begaj shkarkimin e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe emërimin në këtë post të Taulant Ballës.

Sipas Kushtetutës, përgjigjja nga presidenca kthehet brenda një afati kohor 7 ditor, ndërsa më pas i mbetet parlamentit të shqyrtoj dekretin brenda afatit 10 ditor, në kohën kur për këtë legjislacion kanë mbetur dy seancat e fundit parlamentare, ajo e datës 13 dhe 20 korrikut.

Shkak për shkarkimin e Çuçit duket se është bërë ngjarja në Fushë Krujë, ku të afërmit e ish-deputetit Rrahman Rraja rrahën brutalisht dy kushërinjtë nga fisi Maja të cilët denoncuan prishjen e shtëpive të tyre nga shpërthimet në kantierin e gurores së familjes Rraja.

Rama mori këtë vendim pas daljes së fakteve që policia në Krujë kishte lidhje me dhunuesit dhe 40 denoncime nga qytetarët nuk ishin marrë seriozisht por flinin në sirtarët e policisë.

Ditën e djeshme Gjykata caktoi masën “arrest me burg” për tre nga katër personat e arrestuar për dhunën barbare në Krujë ndaj 2 qytetarëve, katër ditë më parë.

Ineidi Rraja, Andi Rraja, Eni Kullaj u lanë në “arrest me burg”, teksa pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, Kujtim Bërdaku u la me masën “detyrim paraqitje”.

Gjithashtu policia njoftoi dje mbylljen e gurores “Delia Group” në pronësi të Xhelal Rrajës në Borizanë të Krujës.

Bllokimi i gurores erdhi 3 ditë pas ngjarjes së rëndë ku anëtarë të fisit Rraja së bashku me të birin e deputetit të dorëhequr të PS-së, Rrahman Rraja, dhunuan kushërinjtë Maja.

Kujtojmë se deputeti i Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, dha dorëheqjen pas dhunës që familjarë të tij ushtruan ndaj Jashar dhe Bilbil Majës tre ditë më parë. Dorëheqja e Rrahman Rrajës nga mandati i deputetit erdhi 48 orë pas dhunës barabare që djali dhe vëllezërit e tij ushtruan ndaj dy kushërinjve Maja në aksin Thumanë-Fushë Krujë, për shkak se këta të fundit ishin ankuar për guroren e tyre, pasi po ju shkatërronte banesat.

Kjo ngjarje e rëndë gjithashtu bëri që opinioni publik të reagonte ashpër edhe ndaj veprimeve të Policisë së Shtetit, të cilët ditën e parë pas shoqërimit të autorëve të dhunës, i lanë këta të fundit të lirë. Ndërsa një ditë më pas i shpallën në kërkim, pasi vunë re në video se dhuna barbare ju kishte rrezikuar jetën seriozisht dy anëtarëve të familjes Maja./albeu.com/