Franca ende nën flakën e trazirave, 3200 të arrestuar në 5 netë protesta

Tubimet e qytetarëve para bashkive të qyteteve të Francës, të organizuara pas sulmit që shënjestroi rezidencën e një kryebashkiaku në rajonin e Parisit, nisën sot në mesditë, veçanërisht në Nanterre, ku vdekja e 17-vjeçarit Nael nga të shtënat e policisë shkaktuan trazira në të gjithë vendin.

“Që nga e marta, netët kanë qenë të vështira për banorët (…) Dhuna e kryer është e papranueshme”, tha kryetari i bashkisë së Nanterres, Patrick Zari, duke iu drejtuar rreth 100 banorëve të mbledhur dhe punonjësve të bashkisë.

Ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin njoftoi sot se rreth 3200 persona u arrestuan nga forcat e rendit francez nga e marta deri të dielën në pesë net radhazi trazirash të shkaktuara nga vdekja e 17-vjeçarit Nael.

“60% e këtyre 3200 personave nuk kishin precedentë penalë, nuk njiheshin nga shërbimet e policisë dhe nuk kishin qenë kurrë objekt kontrolli”, tha ministri gjatë një vizite në Rennes, në Francën verilindore.

Mosha mesatare e të arrestuarve është “17 vjeç, në disa raste janë fëmijë, nuk ka fjalë tjetër, 12-13 vjeç, të cilët janë bërë zjarrvënës apo kanë sulmuar forcat e rendit apo të zgjedhurit”, ka nënvizuar ai.  .

Darmanen këmbënguli në “përgjegjësinë e prindërve, të familjes” për të mbikëqyrur këta të rinj, “sepse nuk i takon policisë kombëtare apo xhandarmërisë apo kryetarit apo edhe shtetit të zgjidhë problemin kur një 12-vjeçar i vë zjarrin një shkolle. Ministri thotë se pas natës së kaluar ku nuk pati ndonjë incident të madh, konstaton se “rendi po rivendoset”, “falë vendosmërisë së treguar”.

Por policia dhe xhandarët, pas kërkesës së Presidentit të Republikës, do të vazhdojnë mobilizimin e emergjencës edhe në netët në vijim”, shtoi ai.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se 20 milionë euro u dhanë për të rivendosur deri në fund të verës video kamerat e sigurisë që u thyen gjatë trazirave.

“Paratë e shtetit janë në dispozicion të kryetarëve të bashkive të Francës”, theksoi ai.


Shtuar 3.07.2023 16:25