Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, thotë se është i vetëdijshëm për pakënaqësinë e një pjese që SHBA-ja nuk po pajtohet me qëndrimet e Qeverisë së tanishme të Kosovës. Megjithatë, ai thotë se përkrahja e SHBA-së për Kosovën, si vend, si ide, është e palëkundur.
Situatën e krijuar tani mes Kosovës dhe SHBA-së, Hovenier e sheh si përplasje qëndrimesh me Qeverinë e tanishme, por jo si përplasje e aleancës dhe fundin e përkrahjes.
“Ne jemi në një moment shumë më të vështirë tani, qeveri me qeveri, Qeveria e SHBA-së me Qeverinë e tanishme të Kosovës… Por, kjo nuk do të thonë se ne nuk ndajmë të njëjtat synime strategjike”.
Ai ka thënë se qëndrimi i SHBA-së ndaj Kosovës si shtet është “përkrahës dhe këmbëngulës”, por kjo nuk do të thotë se ata do të mbështesin secilin qëndrim të secilës qeveri të Kosovës.
Hovenier thotë se SHBA-ja është e qartë në kërkesën e saj ndaj Kosovës, që është zbatimi i planit trepikësh të propozuar nga Bashkimit Evropian. Ai përmend se këtë qëndrim nuk e ka vetëm SHBA-ja, por edhe të gjithë partnerët e tjerë perëndimorë.
Ambasadori amerikan ka treguar se i lexon komentet në rrjetet e tij sociale kohë pas kohe dhe se është i informuar se këtë qëndrim të tyre nuk e mirëpresin të gjithë në Kosovë. /Express/