Moti i keq me stuhi dhe shi të rrëmbyeshëm kanë shkaktuar një situatë të vështirë mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Pejës në Kosovë.
Nënë e bir kanë mbetur të vdekur si pasojë e vërshimeve të ujit. Bëhet fjalë për një fëmijë pesë vjeçar dhe nënën e tij, të cilët humbën jetën gjatë natës.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Asllan Qeshme”.
Vdekja e fëmijës është konstatuar rreth orës 23:00, ndërsa rreth orës 01:20 të së dielës, autoritetet kanë gjetur edhe trupin e së ëmës, pa shenja jete.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Pejё, njofton se me datё 24.06.2023 si pasojё e vërshimeve nё qytetin e Pejёs, nё lagjen “Asllan qeshme” njё fёmijё ka humbur jetën ndërsa nëna e tij ёshtё e zhdukur. Pas kërkimeve nga njësitet Policore rreth orёs 01:20, tё datës 25.06.2023, ёshtё gjetur personi i zhdukur femër , vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Kryetari i komunës në Pejës, Gazmend Muhaxheri e quajti të rëndë situatën në qytetin e tij, i cili u përfshi mbrëmë nga reshje të dendura shiu që shkaktuan vërshime të mëdha të ujit nëpër rrugët e qytetit. Përmes një postimi në facebook ai kërkon ndihmë.
“Jam shumë i tronditur për rastin tragjik që ka ndodhur sonte në Pejë si pasojë e vërshimeve, ku ka pasur edhe humbje jete të çmuara! Kjo është një situatë e rëndë dhe e hidhur për qytetin tonë. Gjatë kësaj kohe të vështirë, shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim të plotë. Shpresoj të kenë forcë për ta kaluar këtë situatë. Ndihma në kohë të vështira është thelbësore. Ekipet tona janë në terren dhe po e vëzhgojnë situatën e shkaktuar nga vërshimet” shkruan Muhaxheri./albeu.com/