Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka dhënë sqarime për projektligjin që parashikon ndryshime dhe plotësime në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Të lidhura
None found
E ftuar në emisionin “Ora Shtatë”, ajo ngriti çështjen e zbatimit të ligjit më të favorshëm kur caktohen dënimet. Sipas Hoxhës, kjo temë nuk ka marrë vëmendjen e duhur në diskutimet publike.
“Në shumë raste kemi dëgjuar gjyqtarët të thonë se, në proceset juridike, kur caktohet dënimi zbatohet ligji më i favorshëm”, u shpreh Hoxha.
Ajo iu referua edhe legjislacionit të ish-Jugosllavisë dhe Kodit Penal të asaj kohe, duke vënë në dukje se për disa raste dënimi maksimal mund të ketë qenë 15 vjet.
“Kur u shqyrtua rasti në fjalë, në fuqi ishin ligjet e ish-Jugosllavisë dhe Kodi Penal i ish-Jugosllavisë, ku dënimi më i lartë arrinte deri në 15 vjet. Kjo është një prej çështjeve për të cilat askush nuk flet”, deklaroi ajo.
Hoxha foli gjithashtu për lidhjen mes Dhomave të Specializuara dhe institucioneve të drejtësisë në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese.
“Dhomat e Specializuara dhe Dhoma Kushtetuese përfaqësojnë bartje të juridiksionit të Kosovës në nivel ndërkombëtar. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk duhet të minimizohet, sepse Dhoma Kushtetuese nuk mund të jetë mbi Gjykatën Kushtetuese”, tha deputetja e PDK-së.
Sipas saj, Dhomat e Specializuara u krijuan në bazë të Kushtetutës dhe të një ligji të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Për këtë arsye, ajo vlerëson se ndryshimi ose plotësimi i ligjit nuk përbën domosdoshmërisht cenim të pavarësisë së drejtësisë.
“Dhomat e Specializuara janë themeluar me Kushtetutë dhe me ligj të miratuar në Kuvendin e Kosovës. Nëse Kuvendi mendon se Gjykata ka dalë përtej juridiksionit dhe fushëveprimit kushtetues e ligjor mbi bazën e të cilit u krijua, nuk shoh arsye pse riamandamentimi apo ndryshimi dhe plotësimi i ligjit do ta cenonte pavarësinë”, deklaroi Hoxha.
Ajo këmbënguli se propozimet nuk kanë si synim ndërhyrjen në punën e drejtësisë, por trajtimin e barabartë dhe garantimin e drejtësisë për të gjitha palët.
“Nuk kërkojmë të prekim drejtësinë. Kërkesa jonë e vetme, në emër të viktimave dhe të drejtësisë për to, është që pala tjetër të mos cenohet dhe drejtësi të ketë edhe për akterët e tjerë që janë aty”, tha Hoxha.






