Inteligjenca artificiale gjeneruese (AI) mund të shkaktojë ndërprerje serioze në tregun e punës, ka paralajmëruar zëvendësdrejtoresha e parë e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Gita Gopinath, duke u kërkuar ligjvënësve që të rregullojnë përdorimin e teknologjisë së re sa më shpejt të jetë e mundur.
“Qeveritë, institucionet dhe ligjvënësit duhet të jenë të shpejtë në rregullimin e të gjitha fushave, por edhe në përgatitjen për ndërprerje të mundshme të rëndësishme në tregun e punës”, tha Gopinath në një intervistë për të përditshmen financiare Financial Times.
Ajo u tha qeverive që të forcojnë “rrjetat e sigurisë sociale” për punëtorët, vendet e punës të të cilëve do të kërcënohen nga inteligjenca artificiale dhe të sigurojnë që masat tatimore të mos shpërblejnë kompanitë që zëvendësojnë punëtorët me makina.
“Ata gjithashtu duhet të sigurohen që kompanitë të mos krijojnë një pozicion të paarritshëm në teknologjinë e re. Ju nuk dëshironi kompani ultra të mëdha me sasi të mëdha të dhënash dhe fuqi kompjuterike që u japin atyre një avantazh të padrejtë,” përfundoi Gopinath.