Komisioni i Konkurrencës ka gjobitur me 5 milionë lekë kompaninë e shitjes së karburanteve Gega Oil pas disa shkeljeve flagrante të konstatuara.
Konkurrenca bën me dije se gjoba e majm ndaj Gega Oil iu vendos pasi kompania nuk ka njoftuar autoritetet përgjegjëse për një vendim operacional të ndërmarrë siç ishte bashkimi i saj me kompaninë tjetër Genklaudis SHA.
“Nga vlerësimi i dokumentacionit, Komisioni i Konkurrencës evidentoi faktin se shoqëritë pjesëmarrëse në transaksion (Genklaudis SHA dhe Gega Oil SHA) kanë kryer shkeljen administrative në kuptim të nenit 73 të ligjit nr. 9121/2003, e cila konsiderohet si shkelje e lehtë.
Pas vlerësimit të efekteve që ka sjellë transaksioni në tregun përkatës, u konstatua mbivendosje midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar në tregun e naftës”, njofton Autoriteti i Konkurrencës.
Ky veprim i bërë nga kompania shihet problematik në kuadër të konkurrencës së ndershme në treg pasi kompanitë kanë marrëdhënie ndërvarësie me njëra-tjetrën pasi njëra operon në tregun e shitjes me pakicë dhe tjera në tregun e shitjes me shumicë të karburanteve.
Njoftimi i plotë
Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij të datës 08.06.2023, vendosi gjobitjen në vlerën e 5.000.000 (pesëmilion) lekë të shoqërisë Gega Oil Group SHA, si pasojë e mos njoftimit brenda afatit nga ana e shoqërisë Gega Oil Group SH.A. të përqendrimit të realizuar nëpërmjet bashkimit me përthithje të shoqërisë Gega Oil SHA nga shoqëria Genklaudis SHA.
Referuar dokumentacionit të depozituar pranë Autoritetit të Konkurrencës konstatohet se transaksioni nuk është njoftuar brenda afatit të përcaktuar në nenin 12, pika 2 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Nga vlerësimi i dokumentacionit, Komisioni i Konkurrencës evidentoi faktin se shoqëritë pjesëmarrëse në transaksion (Genklaudis SHA dhe Gega Oil SHA) kanë kryer shkeljen administrative në kuptim të nenit 73 të ligjit nr. 9121/2003, e cila konsiderohet si shkelje e lehtë.
Pas vlerësimit të efekteve që ka sjellë transaksioni në tregun përkatës, u konstatua mbivendosje midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar në tregun e naftës dhe benzinës, por pa efekte të ndjeshme në strukturën e tregut përkatës për shkak të pjesës së vogël të tregut të ndërmarrjes së përthithur.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin nr. 993, datë 08.06.2023 vendosi gjobë mbi shoqërinë GEGA OIL GROUP SHA, në masën 5.000.000 (pesëmilion) lekë, për mos njoftimin brenda afatit të përqendrimit të realizuar nëpërmjet bashkimit me përthithje të shoqërisë Gega Oil SHA nga shoqëria Genklaudis SHA.
Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në http://caa.gov.al. /albeu.com