Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është liruar nga burgu pas një vendimi të Gjykatës së Elbasanit. Pas këtij vendimi, Tahirit i takon të kryejë 1 vit 7 muaj e 11 ditë në shtëpi si pjesë të mbetur të dënimit.
Sipas avokatit të tij, Tahiri plotësonte kushte të dënimit alternativ, ndërsa vendimi u mor pas paraqitjes së një raporti mjekësor, ku thuhet se ish-ministri nuk mund të vijojë të qendrojë në qeli dhe se pjesën e mbetur duhet ta kryejë në shtëpi.
Por çfarë ndodh tani më karrierën politike të Saimir Tahirit?
AlbEu kontaktoi me avokatin Jordan Daci, i cili theksoi se sipas ligjit, ish-ministrit i ndalohet që të marrë pjesë në jetën aktive politike për 20 vitet e ardhshme.
Tahiri është sot 43 vjeç dhe sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, ai mund të rikthehet në politikë pasi të ketë mbushur 64 vjeç.
Dënimi
Më 4 shkurt të vitit 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”. /albeu.com