Osmani: Veriu u destabilizua me urdhër të Vuçiçit

Presidenjta e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se tensionet në veri po shkaktohen “nga strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale” të cilët kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët.

Përmes një postimi në Twitter, Osmani dënoi dhunën në veri, prej ku akuzoi presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç për destabilizimin e veriut të vendit.

“Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiçit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi presidentja.

Që nga mëngjesi i 29 majit, grupe të serbëve kanë protestuar në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë ndërhyrë ndaj protestuesve serbë, të tubuar para ndërtesës së komunës së Zveçanit. Gjatë operacionit u dëgjuan shpërthime me gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërsa në drejtim të ushtarëve janë hedhur gurë, shishe dhe kokteje molotovi.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë në teren ka ka parë edhe ushtarë të lënduar të KFOR-it.

Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një ditë më parë tha se në Kosovë do të ndodhë diçka që “nuk e kemi parë më parë”, ndërsa situatën aktuale e vlerësoi si më të vështirën deri më tani.

“Kam frikë nga destabiliteti, madje edhe nga konfliktet e mëdha, sepse e di që serbët nuk mund të durojnë më, derisa ky [kryeministri i Kosovës, Albin Kurti] ëndërron të jetë [presidenti i Ukrainës, Volodymyr] Zelensky”, tha Vuçiq për televizionin Pink të Serbisë.

Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe. Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Bashkësia ndërkombëtare e dënoi vendimin e Qeverisë së Kosovës që kryetarët e komunave të hyjnë me forcë në ndërtesat komunale dhe u bëri thirrje autoriteteve që të ushtrojnë përmbajtje dhe të tërhiqen./REL/


Shtuar 29.05.2023 18:50