Marina Bay Saranda, kompania koncesionare që ka marrë me qira 1 euro 265 mijë metër tokë shtetërore në Gjirin e Limionit i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të shfuqizojë sekuestron e vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar mbi bazën detare të Sarandës. Rekursi është regjistruar në Gjykatën e Lartë në datën 16 Maj dhe relator i çështjes është caktuar, gjyqtari Ilir Panda.
Marina Bay Saranda zotërohet nga grupi Kastrati dhe Concord Investments e Dulakut në masën 50 për qind secili.
Në 1 korrik të vitit 2020, Ministria e Financave nënshkroi me këto dy kompani një kontratë qiraje me vlerën 1 euro për dhënien e 265 mijë metër tokë publike në Gjirin e Limionit, në Sarandë. Sipas projektit, kompanitë do të ndërtonin aty një port jahtesh si dhe një resort turistik me vila, hotele dhe apartamente,shkruan Oligarkia.al.
Por brenda sipërfaqes prej 265 mijë metrash, gjenden dhe 40 mijë metër tokë, pjesë e bazës detare të Sarandës, që është në pronësi të Flotës Detare. Për këtë shkak, kontrata u kallëzua në SPAK nga ish komandanti i Flotës Artur Meçollari, i cili pretendon se privatizimi i pronës së Flotës është bërë në kundërshtim me ligjin dhe cënon kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Në 24 shkurt të këtij viti, GJKKO miratoi kërkesën e SPAK për vendosjen e bazës nën sekuestro preventive për të mos lejuar tjetërsimin e pronës së ushtrisë, në kushtet kur çështja është nën hetim.
Ndërkohë që gjatë kësaj kohe për këtë çështje është thirrur disa herë në SPAK ish ministrja e mbrojtjes, Olta Xhaçka, por edhe funksionarë të lartë të forcave të armatosura, përfshirë ish shefin e Shtabit, Bardhyl Kollçaku.
Baza e minave detare në Durrës
Përmes një fati të ngjashëm po kalon edhe baza e minave detare në Porto Romano, ku koncensionari Porti RMB filloi “pushtimin” e territorit të saj pa asnjë leje apo miratim nga qeveria shqiptare.
Njëlloj si edhe baza e Limionit, për çështjen e Durrësit është angazhuar prokuroria dhe të dyja bazat tashmë janë kthyer në një mollë sherri edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, pasi për herë të parë në historinë e vendit, një privat gjen guximin të hedhë përtokë rrethimin dhe të marrë territorin e bazave të ushtrisë. /AlbEu.com