Juventus merr “shuplakën” e dytë brenda ditës, pas heqjes së 10 pikëve pëson dhe katër gola nga Empoli

Juventus përmbyll me humbje 4-1 një nga ditët më të këqija të klubit në vitet e fundit. Sikur të mos mjaftonte heqja e 10 pikëve për shkak të problemeve me balancat, bardhezinjtë dështuan keq në Stadio Carlo Castellani (Empoli).

Djemtë e Zanettit shënuan dy herë brenda 20 minutash, duke vendosur sfidën në shinat e duhura. Caputo shndërroi në gol një penallti, ndërsa pak më pas mbrojtësi Luperto bëri sulmuesin duke dyfishuar shifrat.

Pjesa e dytë nisi me malore për torinezët, të cilët pësuan të 3-tin nga Caputo. Edhe pse pa forcë dhe tërësisht pa motiv, “Zonja e Vjetër”  reagoi dhe shkurtoi shifrat me Chiesan. Vendasit thelluan avantazhin me golin e Piccoli në fund.

Me këtë rezultat, Juventus është në vendin e shtatë me 59 pikë dhe 2 javë nga fundi, distanca me zonën Champions është 5 pikë. Ndoshta këtë sezon nuk do mjaftojë as një mrekulli, për t’i dërguar ata në UEFA Champions League.


Shtuar 22.05.2023 23:08