Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për gjendjen e respektimit të lirive fetare në botë, në pjesën për Maqedoninë e Veriut, vë në dukje amendamentin ligjor të miratuar nga Parlamenti për ndalimin e regjistrimit dhe funksionimit të subjekteve, që mbajnë emrat dhe simbolet e nazizmit, nacional-socializmit ose shoqërohen me intolerancë, urrejtje dhe fashizëm.
Në raport theksohet gjithashtu se statusi i ri i Kishës Ortodokse Maqedonase- Kryepeshkopata e Ohrit ende nuk është zgjidhur. Në seksionin për Maqedoninë e Veriut, raporti thekson se shkurtin e kaluar policia ngriti akuza për gjuhën e urrejtjes kundër një gruaje për komentet e saj në mediat sociale gjatë një vizite në një grup ortodoks hebrenjsh dhe se Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi deklaroi se akuza ishte “incident antisemitik”.
Në Raport gjithashtu thuhet se kanë vazhduar mosmarrëveshjet mes qeverisë dhe komunitetit bektashi nga Tetova lidhur me regjistrimin e grupit fetar. “Komuniteti nuk ka riparaqitur një aplikim për regjistrim që nga viti 2000 për shkak të shqetësimeve për ndryshimin e emrit, i cili do të kërcënonte ekzistencën e grupit”, thuhet në raport.
Shtohet se anëtarët e komunitetit bektashi kanë raportuar sërish për sulme nga qeveria dhe përfaqësues të një grupi tjetër rival që donte të merrte selinë e tyre gushtin e kaluar. Probleme të tjera të vërejtura në raport janë denacionalizimi jo i plotë i pronës shtetërore, favorizimi i disa grupeve fetare dhe akreditimi i shkollave fetare.Në raport theksohet gjithashtu se drejtuesit e BFI-së kanë thënë se marrëdhëniet me qeverinë kanë vazhduar të përmirësohen, por se qeveria ka vazhduar të tregojë më shumë favore ndaj Kishës. /SHENJA/