Një 41-vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Kavajë, pasi ishte shpallur në kërkim për shitje dhe prodhim të lëndëve narkotike.
Sipas policisë 41-vjeçari Erland Helshani ishte dënuar me 4 vjet e 7 muaj burg për trafik droge.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Qerreti”, për kapjen e një shtetasi në kërkim.
I kërkuari, i dënuar me 4 vjet e 7 muaj burgim, për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Qerreti”.
Si rezultat i këtij operacioni, në Qerret, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim Erland Helshani, 41 vjeç, banues në Kavajë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë e ka dënuar këtë shtetas, me 4 vjet e 7 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/AlbEu.com/