Vrasja e dy vëllezërve Bilali në Shkodër, Apeli dënon me 25 vite burgim Arsen Stojkun, mikun e Licëve

Gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur të dënojë me 25 vite burgim, Arsen Stojkun, njërin nga personat e arrestuar dhe akuzuar për “Vrasjen në rrethana cilësuese” në dëm të dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali.

Ngjarja e rëndë e ekzekutimit të dy vëllezërve, ka ndodhur në 30 Mars 2019 në qytetin e Shkodrës.

Sipas Ora News, vendimi për dënimin e Arsen Stojkut, është marë në 16 Mars 2023 nga një treshe gjyqtarësh, të cilët kanë konstatuar se Arsen Stojku, ka pasur rol në vrasjen e babait dhe xhaxhait të Astmer Bilalit.

Një personazh ky i botës së krimit që tashmë është shpallur në kërkim nga policia dhe që njihet si kundërshtar i familjes Lici në Shkodër.

Arsen Stojku, është i afërm i familjes Lici. Fillimisht gjykata e Shkodrës e dënoi Stojkun me 6 vite heqje lirie për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”.

Ndërsa prokuroria në pretencën e saj kishte kërkuar dënimin e tij me 35 vite burgim për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të dy personave.

Duke mos qënë dakord me vendimin e gjykatës për dënimin e Arsen Stojkut me 6 vite burgim, prokuroria ka ushtruar ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Dhe në 16 Mars 2023, një treshe gjykuese vendosi ta dënojë Arsen Stojkun me 25 vjet heqje lirie. Arsen Stojku është personi i vetëm që ndodhet në burg për vrasjen e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali.

Mësohet se një vit më parë, për akuzën e “Përkrahjes së autorëve të krimit”, gjykata e Shkodrës shpalli fajtor dhe dënoi me 4 vjet e 6 muaj burgim Myslim Ramën. Rama ka dalë nga burgu dhe tashmë është larguar nga Shqipëria.

Ndërsa për të njëjtën ngjarje gjykata e Shkodrës shpalli të pafajshëm mikun e Myslim Ramës, Denis Brahimin. Mes personave të dyshuar nga policia, lidhur me vrasjen e dy vëllezërve Bilali, ishte dhe Ibrahim Lici, por akuzat dhe dyshimet kundër tij nuk u provuan gjatë fazës së hetimit./Albeu.com/

 

 


Shtuar 24.03.2023 12:21