A jua ka dorëzuar Ahmetaj “Dosjen e Inceneratorëve”? Përgjigjet Ilir Meta

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka hdhur poshtë zërat e aluduar në media se dosjen e Inceneratorëve ia ka dhënë ish-Ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Në një intervistë në Syri Tv, Meta theksoi se informacionet që ka PL, nuk kanë asnjë lidhje me asnjë nga anëtarët e qeverisë.

Meta: Kjo çështje është e hapur që në vitin 2019. Unë nuk e di se kush e ka dorëzuar dosjen (faturat e hoteleve për Arben Ahmetajt me Klodian Zoton). Ne s’na intereson kush ia dorëzoi. Është e qartë se kemi të bëjmë me avazin e Edi Ramës që i përdor shokët njëherë për të shkelur ligjin dhe njëherë për t’i zhytur në baltë.

Pyetje: Është publike që Rama dyshon se dosjen dhe dokumentet e inceneratorëve, Arben Ahmetaj jua ka dhënë juve.

Meta: SPAK duhet të urdhërojë bllokimin e pagesave për inceneratorët.

Pyetje: Po ju pyes në mënyrë të drejtpërdrejtë, a ju ka dorëzuar dokumente Ahmetaj?

Meta: Zoti Ahmetaj ka përgjegjësitë e tij për këtë çështje siç i kanë shumë persona të tjerë në qeveri, përveçse atyre që kanë refuzuar. Përsa i përket rastit konkret, s’ka lidhje disponimi i fakteve nga ne që kemi çuar në SPAK me asnjë anëtar të qeverisë Rama. Në administratë ka shumë njerëz me integritet që janë të tmerruar nga shkeljet e ligjeve. Janë njerëz patriotë dhe kuptojnë se sa më shpejt të largohet kjo bandë nga puyshteti, shteti do jetë i drejtë.

Pyetje: Qarqe brenda PS-së dhe brenda qeverisë mendojnë se dosjet janë bërë nga Ahmetaj dhe Meta. Në të njëjtën javë ju hapen dy çështje. A është kjo një tregues që Rama po hakmerret ndaj jush?

Meta: S’ka për çfarë të hakmerret se është i pafuqishëm. Nëse SPAK i bën si formë presioni për llogari të Ramës, ai po dëmton integritetin e SPAK. Meta ka qenë shembull i respektimit të ligjit në të gjitha kohët. Vetëm Rama ka frikë nga ballafaqimi. Unë u hetova nga komisionet hetimore. Unë nuk respektoj vetëm komisionet, por qytetarët.


Shtuar 24.02.2023 21:36