PS mbledh Komisionin e Etikës, kërkon përjashtimin e 6 deputetëve të PD-së, Spaho: Në Kuvend shkoj kur të dua unë

Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin me 10 ditë të deputetëve të Partisë Demokratike.

Ditën e sotme është mbledhur Komisioni i Etikës për përjashtimin e deputetëve demokratë Edmond Spaho, Sorina Koti, Elda Hoti, Greta Bardeli, Oerd Bylykbashi dhe Lindita Memaliaj.

Deputeti Edmond Spaho ka hapur kamerën e telefonit të tij gjatë mbledhjes së komisionit dhe tha se ka vepruar në atë mënyrë në seancë për shkak se po shkelen të drejtat kushtetuese nga kryeministri Edi Rama.

Spaho: Çfarë po kërkojmë ne që ju çuditeni dhe nuk na jepni fjalën për një skandal kaq të madh. Në SHBA heton FBI, heton dhe Kongresi. Të njëjtën gjë kërkojmë edhe ne të hetohet këtu. Të hetojë SPAK-u që nuk ka këllqe ta bëjë dhe të hetojë kuvendi. Të paktën të kemi mundësi të shohim ky McGonigal kur ka hyrë, kur ka dalë, ka ushtruar presion në organe të caktuara?

Zonjë më lini të flasë, nuk keni guxim të dëgjoni se keni frikë çfarë ju thotë Rama. A po më përjashton, ti e ke marrë vendimin, tani më dëgjo pse protestoj unë, mos më prit fjalën.

Spaho tha se po përjashtohej nga seancat plenare për 20 ditë, siç nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e parlamentarizmit shqiptar. Ai tha se do të vepronte po njësoj në seancë plenare pasi po shkelen të drejtat kushtetuese të opozitës.

Spaho: Sjellja ime është si rrjedhojë e grushtit të shtetit që ka bërë kryeministri. Do bëj zhurmë, do i bie bilbilit, do thyej edhe karrige se të drejtat kushtetuese janë më të rëndësishme se figura etike. Do pranoj të shkel mbi etikën time për të mbrojtur një cështje më të madhe që është e gjithë shqiptarëve. Jeni kryetare e Komisionit të Ligjeve dhe e Drejtave. Doni të shkatërroni opozitën, doni të nxirrni kryetarin e opozitës “non grata”. Ju duhet të flisni seriozisht. Unë po të shpjegoj sjelljen time. Ju po merrni masë për mua, po më përjashtoni 20 ditë që nuk ka ndodhur kurrë. Unë kërkoj ngritjen e Komisionit Hetimor, janë paguar para për të eliminuar opozitën. Firmat i keni, s’doni t’i thërrisni ju ata deputetë. Po shkel Kushtetutën me të dyja këmbët duke u bërë kukull e Edi Ramës./Albeu.com/.