Prokuroria e Kurbinit ka përfunduar hetimet për ish-agjentin e Operacionales Jeton Lami.
Ish-polici akuzohet për shpërdorim detyre, pasi kishte shoqëruar Ervis Martinajn para se ky i fundit të zhdukej pa asnjë gjurmë vitin e kaluar.
Në përfundim të 6 muajve hetim Prokuroria ka vendosur të ngrejë akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj agjentit të Forcës Operacionale duke arsyetuar se ai kishte detyrë funksionale të arrestonte personat e shumëkërkuar, por në vend që të zbatonte këtë detyrë, ai ka vendosur ta shoqëronte 40-vjeçarin dhe t’i garantonte paprekshmërinë nga forcat e policisë.
Prokurori i çështjes ka shkuar pak ditë më parë në ambientet e paraburgimit të sigurisë së lartë ku mbahet Lami dhe i ka komunikuar akuzat dhe sipas ligjit është duke pritur afatin 10-ditor që avokatët e Jeton Lamit të kthejnë pretendimet e tyre sikurse e parashikon procedura dhe më pas dosja penale pritet t’i dorëzohet gjykatës për gjykim paraprak, sipas gazetares Klodiana Lala.
Gjykata do të vendosë më pas nëse akuza është kualifikuar si duhet.
Për të tillë vepër penale, sipas ligjit, një person nuk mund të mbahet në burgim më gjatë se 6 muaj. /albeu.com