Tre fëmijë sirianë u mbytën sot në një pellg pranë kampit të refugjatëve Kaa në Libanin lindor pas shirave të rrëmbyeshëm që goditën zonën.
“Dy vëllezër që po laheshin në pellg u mbytën, si dhe kushëriri i tyre që u përpoq t’i shpëtonte,” tha kryetari i bashkisë Kaa, Bashir Matar.
Të tre djemtë ishin nën moshën 10 vjeç. Ata u gjetën nga ushtarët dhe u dërguan në spitalin e Hermelit, ku u shpallën të vdekur.
Prej disa ditësh, reshjet e shiut dhe borës që bien në Liban kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë.
Qindra mijëra sirianë ikën në Liban kur shpërtheu lufta civile në vendin e tyre në vitin 2011. Sipas autoriteteve, Libani është shtëpia e rreth 2 milionë refugjatëve. Nga këto, 830,000 janë regjistruar nga agjencitë e OKB-së.
UNHCR bëri thirrje në fillim të dhjetorit për t’u ofruar ndihmë sirianëve të zhvendosur, si dhe qytetarëve të cenueshëm libanezë, pasi vendi po përjeton një krizë të paprecedentë socio-ekonomike./Albeu.com.