Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se oligarku rus Oleg Deripaska ka pasur tendera në Albcontrol me Belinda Ballukun.
Kreu i PD-së ka hedhur akuza mbi oligarkun rus, për të cilin thotë se është investitor strategjik në Shqipëri dhe ka marrë tendera në rrugë e ujësjellës.
Berisha: Pyete ku e ka takuar Deripaskën? Deripaska ka 6 kompani, është investitor strategjik në Shqipëri dhe e vërteta është që ka shumë mundësi jo në një që është publikisht, por edhe në një tjetër që është i fshehur, Deripaska ka pasur tendera në AlbControl me zonjën Balluku, e cila nuk ka çorbë që të mos jetë e përzier, realiteti. Ka marrë tendera në rrugë, ka marrë tendera në Ujësjellësa.
Ajo që ka ndodhur se Deripaska i sanksionuar nga SHBA-të në vitin 2018 ka vazhduar i qetë në një parajsë, veprimtarinë e tij ekonomikë gjer në vitin 2022. A e ka takuar Edi Ramën apo jo, unë nuk mund të them. A i ka paguar Deripaska ato 225 mijë dollarë, apo i ka paguar Edi Rama nuk mund të them, ato janë të gjitha hetime të institucioneve ligjzbatuese të SHBA-ve.
I ftuar ne Opinion ai shtoi se tre fusha të mëdha nafte në Shqipëri, ish-ministri në atë kohë i Energjitikës, Damian Gjiknuri ua dha dy kompanive ruse në shkelje të ligjit.
Sipas tij, kompanitë ruse nuk kishin dorëzuar primin për tenderin, por gjithsesi u pranuan.
Berisha: A e dini historinë e naftës ju? Tre fusha të mëdha nafte në Shqipëri Damian Gjiknuri absolutisht në shkelje të ligjeve përjashton kompani të tjera dhe për të njëjtat motive që përjashtoi 2-3 kompani të tjera ia jep të tre fushat dy kompanive ruse të cilat shkuan në gjykatë dhe e fituan gjyqin ata se ishte evidente. Kompanitë e tjera që i kishte përjashtuar Gjiknuri nuk kishin dorëzuar primin për tenderin, siç është rregulli. Kompanitë ruse nuk kishin dorëzuar primin dhe u pranuan dhe kompanitë e tjera shkuan në gjykatë./Albeu.com/