Përfundon takimi për Asociacionin në ambasadën amerikane, në Kosovë

Ka përfunduar takimi për çështjen e Asociacionit i thirrur nga ambasada amerikane në Prishtinë.

Nga takimi i pari është parë të dalë shefi i BE-së, Tomas Szunyog, raporton Gazeta Express.

Të ftuar në këtë takim ishin zyrtarë nga Presidenca, Parlamenti e Qeveria, si dhe përfaqësues partiakë, shoqëri civile e ambasadorë.

Takimi zgjati për dy orë dhe kjo ngjarje ndoqi rregullin e “Chatham House”.

Nga Presidenca në takim shkuan shefi i kabinetit Blerim Vela dhe këshilltari i jashtëm, Bekim Sejdiu. Nga Parlamenti ishte shefi i stafit të kryeparlamentarit, Ilir Kërçeli. Nga Qeveria ishte shefi i stafit të kabinetit të Kurtit, Luan Dalipi, si dhe për fushat përkatëse ishin edhe ministrat: Donika Gërvalla, Arbërie Nagavci, Arben Vitia dhe Nenad Rashiq, si dhe zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi.

“Ne po e organizojmë këtë diskutim në përputhje me qëllimin tonë të kahershëm për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe si reflektim i miqësisë sonë të gjatë dhe mbështetjes për popullin e Kosovës. Ngjarja do të ndjekë rregullin e Chatham House. Diskutimi do të zhvillohet të martën në mëngjes, më 31 janar nga ora 10:00 deri në ora 12:00 në Ambasadën Amerikane”, thuhej në ftesën e ambasadës.