Një gjykatë në Helsinki dënoi të premten dy gazetarë investigativë për zbulimin e informacionit të klasifikuar në lidhje me spiunazhin ushtarak finlandez. Rasti shkaktoi shqetësim për lirinë e shtypit në vend.
“Jemi të zhgënjyer. Pavarësisht uljes së dënimeve, dëmtimi i lirisë së shprehjes tashmë është bërë”, u përgjigj në një deklaratë Andero Muka, kryeredaktor i gazetës së tyre, Helsingin Sanomat.
Autori kryesor i shkrimit është dënuar me gjobë në bazë të një pjese të të ardhurave të tij, në shumën prej disa mijëra eurosh, ndërsa autori tjetër i shkrimit nuk është dënuar me gjobë. Akuzat ndaj një personi të tretë, mbikëqyrësit të tyre, u rrëzuan. Të dënuarit mund të apelojnë.
Prokuroria kishte kërkuar dënime me kusht nga të paktën 1.5 vjet për të tre. Tre gazetarët mohuan akuzat ndërsa avokatët e tyre mbrojtës pretenduan se nuk u zbuluan sekrete shtetërore.
Dënimi lidhet me një artikull të botuar në vitin 2017 që përmbante informacione që datonin 10 vjet më parë dhe që i referohej operacioneve të spiunazhit ushtarak finlandez. Këto operacione “janë klasifikuar në interes të sigurisë së jashtme të Finlandës”, shpjegoi gjykata.
Artikulli investigativ detajonte “organizimin, aftësitë dhe furnizimin” e një qendre komunikimi të ushtrisë në Jyväskylä, 230 km në veri të Helsinkit. /albeu.com