“Vuçiç kërcënonte me luftë, ju ishit me pushime”, Xhaferaj i ashpër me qeverinë: Injorimi i kërkesës tonë për Kosovën tregoi fytyrën tuaj të vërtetë

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Sigurisë, deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferaj u tregua i ashpër me qeverinë, pasi kjo e fundit ka injoruar kërkesën e opozitës për të ftuar në komision deputetë të Kosovës, të cilët të kishin mundësi të dëgjonin se cilat janë politikat e jashtme, të mbrojtjes dhe sigurisë, të Shqipërisë.

Xhaferaj tha se përgjigja një muaj më vonë me justifikimin se ishit me pushime tregon fytyrën e vërtetë të qeverisë shqiptare në raport me Kosovën, në një kohë kur situata në veri ishte e përshkallëzuar dhe Vuçiç kërcënonte me luftë.

“Kërkesa është bërë që në datën 19 dhjetor, duke pasur parasysh përshkallëzimin që kishte situata në veri të Kosovës në atë kohë, është e parecendentë dhe e papranueshme që qeveria i përgjigjet sot kërkesës së opozitës, thuajse një muaj më vonë.

Është e një nëpërkëmbje e qeverisë në raport me Kuvendin. Në këtë kërkesë, kam kërkuar që në komision të ftohen edhe deputetë të Kosovës, të komisoneve përkatëse të sigurisë. Nuk kishte asgjë të keqe që ata të vinin.

Thjesht injorimi i kërkesës tonë për t’i ftuar tregon fytyrën e vërtetë të bashkëpunimit të qeverisë tonë me Kosovën. Një fytyrë që vrapon që të bëjë fotografi, dhe kur ata ishin në situatën më të vështirë dhe ne kërkuam këtu që deputetët më respektivë të vinin të dëgjonin nga këto komisione se kush është politika jonë e jashtme, kush është politika jonë e mbrojtjes dhe e sigurisë, ata nuk ftohen të marrin pjesë. Nuk gjej asnjë arsye për neglizhimin e kësaj kërkese. Dhe njëkohësisht vonesa.

Dëgjoj në mënyrë joinformale që kemi qenë me pushime. Ndërsa Aleksandër Vucic deklaronte me 19 dhjetor se unë kam kaluar gjithë natën me ministrin e brendshëm dhe shefin e shtabit të përgjithshëm, qeveria e shtetit amë thotë se ne kemi qenë me pushime.

Normalisht, ne kemi kërkuar këtë seancë dëgjimore për të dëgjuar kush janë politikat e jashtme dhe ato të mbrojtjes e sigurisë, është ftuar dhe ministrja e jashtme po më thanë se ajo vazhdon me arrogancën e mosprezencës në komision. Do t’i shkruajmë dhe delegacioneve të BE, sepse që në shtator kemi një kërkesë që ministri i Brendshëm të vijë në komision dhe nuk ka ardhur. Pra anashkalimin e mbikëqyrjes parlamentare, një zë shumë i rëndësishëm i kriterit politik. Vucic gjatë 2021-2022, Vucic e ka kërcënuar 4 herë Kosovën me luftë dhe ne duam të dimë ku qëndron qeveria jonë”, tha Xhaferaj./albeu.com


Shtuar 17.01.2023 14:51