Pendarovski i beson Ramës: Shqipëria, vend mik i Maqedonisë së Veriut

Presidenti Stevo Pendarovski, nuk ka asnjë dyshim tek kryeministri i Shqipërisë Edi Rama se ai mund t’i punojë pas shpine kundër Maqedonisë. I pyetur nga gazetarët, Pendarovski tha se Shqipëria është vend mik i Maqedonisë dhe nuk ka arsye për të punuar në dëm të saj.

“Nuk mendoj se atje janë krijuar skenarë anti maqedonas. Ka një aspekt, që i dëgjoj komentet në media se një pjesë e liderëve të partive politike shqiptare janë mbledhur atje që të bëjnë dy të tretat për Kushtetutën. Nuk ka nevojë t’i thirrni të gjithë ata që ishin në Tiranë, muaj më parë treguan se do të mbështesin ndryshime kushtetuese në këtë aspekt”, tha Stevo Pendarovski, President.

Por nga VMRO-DPMNE edhe sot kërkojnë përgjigje nga kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe nga LSDM për atë se çfarë plani kanë pranuar në tavolinë pas takimit të liderëve shqiptar në Tiranë. Zëdhënësi Naum Stoillkovski thotë se kryeministri Kovaçevski e ka lavdëruar takimin në Tirani, pasi ka interes për para dhe për të ruajtur karrierën e tij politike.

“Është interes publik që Dimitar Kovaçevski të njoftoj çka është ajo që pa asnjë kusht e pranoi porosinë nga Tirana, të miratuar përmes floskave të zbrazëta ndaj kryeministrit të një shteti të huaj? Vallë dhe cilat biznes interesa janë kërkuar, çfarë lëshimesh janë kërkuar, vallë dhe cila tradhti është në tavolinë? Atë që e bëjnë Kovaçevski dhe Ahmeti nuk ka lidhje me pozitën e Shqipërisë dhe Maqedonisë, por me interesa kriminele dhe tenderë për individë”, u shpreh Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.

Sipas VMRO-DPMNE-së, sjellja e kryeministrit Kovaçevski dhe LSDM-së është vetëm konfirmim se takimi në Tiranë është realizuar me kërkesë të Kovaçevskit për të shpëtuar karrigen e tij. /Alsat.mk


Shtuar 12.01.2023 16:16