Paga minimale do të rritet në Maqedoninë e Veriut.
Zv. kryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi tha se në muajin mars të vitit 2023, qeveria do të rritë pagën minimale e cila do të arrijë vlerën 19.600 denarë (319 euro). Sipas tij, synimi i qeverisë është që dy anëtarë të familjes ta mbulojnë shportën e konsumit.
Paga minimale pritët të rritet në afër 20 mijë denarë nga muaji mars. Në bazë të ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për pagën minimale të votuar nga 101 deputetë në Parlament, ndryshohen kriteret për harmonizimin vjetor të pagës minimale me 50 për qind të rritjes vjetore të pagës mesatare dhe 50 për qind të rritjes së kostos së jetesës.
Sipas kësaj zgjidhje ligjore të bazuar në të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave, në vitin e kaluar paga minimale u rrit në 18 mijë denarë, ndërsa në tremujorin e parë të vitit pritet të rritet në së paku 19.600 denarë, tregojnë përllogaritjet e ekzekutivit. Sindikata pret rritje në 20.107 denarë.
Me rritjen e pagës minimale në vitin e kaluar u përfshinë mbi 80 mijë punonjës./alsat/