Si e pushtuan lobistët Bashkimin Evropian

Nga Thomas Fazi “Unherd”

Teksa ishte duke folur gjatë një debati të kohëve të fundit në Parlamentin Evropian mbi “të drejtat e njeriut në kontekstin e Kupës së Botës”, zëvendëspresidentja Eva Kaili bëri deklaratën e papritur: ‘Katari është një vend lider në respektimin e të drejtave të punëtorëve”.

Prandaj ndoshta nuk duhet të ishim të habitur kur javën e kaluar, ajo ishte në mesin e 6  personave të arrestuar nga policia belge mes akuzave për korrupsion dhe pastrim parash në shërbim të Katarit. Establishmenti i BE-së nxitoi që ta përkufizojë këtë skandal si “disa mollë të kalbura”.

Madje disa zyrtarë të Parlamentit Evropian deklaruan për Politico se akuzat ishin të kufizuara tek disa “disa individë” e kishin humbur toruan. Por të tjerët presin që më shumë emra të përfshihen në këtë rrjet korruptiv. Por fakti nëse skandali do të shtrihet apo jo tek njerëzit e tjerë, nuk është më i rëndësishmi, albeu.com.

Sepse duke u fokusuar vetëm tek “Qatargate”, ne rrezikojmë të harrojmë faktin se skandali është një simptomë e një sëmundjeje shumë më të thellë dhe më të përhapur, që përfshin jo vetëm Parlamentin Evropian, por të gjitha institucionet e BE-së. Ryshfeti dhe korrupsioni janë endemike për institucionet e Brukselit, dhe shumica e tyre janë krejtësisht të ligjshme.

Vlerësohet se në Bruksel ndodhen më shumë se 30.000 lobistë, duke e bërë atë kryeqytetin e dytë të lobimit në botë pas Uashingtonit, kryeqytetit të SHBA-së. Shumica janë në shërbim të korporatave dhe grupeve të tyre lobuese, me shuma të mëdha parash në dispozicion. Buxheti i përbashkët i lobimit të 12.400 kompanive dhe organizatave në regjistrin e lobingjeve të BE-së është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë viteve, sidomos që nga pandemia e Covid-19, dhe sot ai arrin nivelin 1.8 miliardë euro.

Në krye të listës janë gjigantët e Big Tech, Big Pharma dhe Big Energy si Apple, Google, Meta, Bayer dhe Shell, si dhe shoqatat e industrisë si Këshilli Evropian i Industrisë Kimike, Federata Evropiane e Industrive dhe Shoqatave Farmaceutike (EFPIA) dhe Business Europe.

Që të gjitha ato deklarojnë buxhete vjetore lobimi prej 4-6 milionë eurosh. Por shifra e vërtetë ka të ngjarë të jetë dukshëm më e lartë, duke pasur parasysh historinë e gjatë të bizneseve që i nën-raportojnë shpenzimet e tyre.

Sidomos kompanitë e Big Pharma dhe Big Tech, e rritën ndjeshëm fuqinë e tyre të lobimit gjatë gjithë pandemisë. Vetëm EFPIA – që përfaqëson Pfizer, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson – i rriti shpenzimet e saj me 20 për qind në vitin 2020, albeu.com

Një vlerësim minimal i shpenzimeve totale vjetore të lobingjeve në BE nga Big Pharma është tani afro 40 milionë euro në vit, me afro 300 lobistë që punojnë zyrtarisht në Bruksel për të mbrojtur interesat e kësaj industrie (ndonëse numri real është ndoshta më i lartë, pasi rregullat aktuale të transparencës nuk përfshijnë të gjitha shpenzimet për studiot ligjore, partneritetet akademike dhe aktivitetet në vende të veçanta).

Është e sigurt të thuhet se investimi është shlyer më së miri. Deri në fundin e vitit 2021, BE-ja kishte nënshkruar kontrata konfidenciale me vlerë 71 miliardë euro, duke siguruar deri në 4.6 miliardë doza vaksinash (më shumë se 10 doza për çdo qytetar evropian).

Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen negocioi marrëveshjen e saj më të madhe deri më tani me Pfizer – deri në 1.8 miliardë doza, me vlerë deri në 35 miliardë euro nëse kontrata zbatohej plotësisht – përmes një sërë mesazhesh me tekst me shefin e kompanisë.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian ka hapur një hetim për këtë çështje. Por raste të tilla ekstreme, lënë në hije shtrirjen e vërtetë të problemit strukturor që përshkon çdo aspekt të sistemit organizativ të Brukselit. Është e vetëkuptueshme që kjo ushtri lobistësh të mirë-financuar, e cila është shumë më e madhe sesa numri dhe shpenzimet e grupeve të interesit publik, u jep korporatave një ndikim të madh në procesin e vendimmarrjes dhe atë legjislativit evropian.

Sepse lobistët në BE kanë gjithashtu një qasje të privilegjuar ndaj vendimmarrësve: kompanitë dhe organizatat lobuese më të mëdha mbajnë çdo vit qindra takime me Komisionin Evropian. Për shembull, midis dhjetorit 2019 dhe majit 2022, Komisioni i zonjës Von der Leyen u angazhua në 500 takime me përfaqësues dhe lobistë të kompanive të naftës, gazit dhe qymyrit, ose gati 1 takim në çdo ditë pune.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, edhe industria e armëve gjithashtu e ka shtuar aktivitetin e saj lobues, duke e shfrytëzuar pasigurinë që ka krijuar pushtimi rus për të përmirësuar  imazhin e saj, dhe për ta pozicionuar veten si një partner thelbësor që mund të sigurojë mjetet e nevojshme për të garantuar sigurinë.

Madje në ditët e para të pushtimit të Putinit, grupi gjerman i lobimit të armëve BDSV, shkoi aq larg sa i kërkoi BE-së “të njohë industrinë e mbrojtjes si një kontribut pozitiv për qëndrueshmërinë sociale”. Ndërkohë, lobistët e korporatave po dominojnë tani me pjesëmarrjen e tyre në shumë grupe këshillimore të Komisionit.

Dhe nuk është çudi, që ky ndikim mund të prodhojë lehtësisht këshilla të njëanshme. Investigimet nga grupet mbikëqyrëse kanë zbuluar se 75 për qind e takimeve lobuese të komisionerëve dhe zyrtarëve të nivelit të lartë të Komisionit janë me lobistë që përfaqësojnë bizneset e mëdha.

Në fusha kyçe si rregullimi financiar, shërbimet dixhitale, tregun e brendshëm dhe politikat e tregtisë ndërkombëtare, kjo shifër arrin në mbi 80 për qind. Kjo është veçanërisht shqetësuese nëse kemi parasysh se një pjesë shumë e madhe e ligjeve të miratuara nga parlamentet kombëtare – për çështjet që variojnë nga siguria ushqimore deri tek kushtet e punës së shoferëve të kamionëve – vendosen në nivelin e BE-së, dhe më pas thjesht transferohen në ligjin kombëtar nga parlamentet kombëtare, raporton albeu.com.

Ç’është më e keqja, pavarësisht ekzistencës së një regjistri të lobingjeve, mbi të gjithë procesin ka relativisht pak mbikëqyrje. Në fakt, kërkesa që lobistët të regjistrohen në Regjistrin e Transparencës së bllokut u bë e detyrueshme vetëm vitin e kaluar. Deri atëherë, i gjithë sistemi funksiononte në baza vullnetare, gjë që natyrshëm çoi në një nën-raportim të madh të aktiviteteve lobuese. Kjo e vendosi BE-në shumë poshtë standardeve të demokracive liberale si Shtetet e Bashkuara, madje edhe të disa shteteve anëtare. Por edhe tani në këtë fushë ka shumë boshllëqe në aspektin rregullator.

Ndërsa zyrtarëve të lartë të Komisionit dhe raportuesve të komisioneve të Parlamentit Evropian, të cilët hartojnë propozime legjislative, u kërkohet të regjistrojnë dhe të bëjnë transparencë mbi takimet e tyre me palët e interesuara, deputetët që në fakt votojnë për propozimet dhe personeli i nivelit më të ulët, siç janë asistentët e Parlamentit dhe Komisioni Evropian, inkurajohen por nuk janë të detyruar që ta bëjnë këtë.

Siç e ka vënë në dukje Alberto Alemanno, profesor i së drejtës së BE-së në HEC Paris “Parlamenti Evropian është i vetmi institucion që në thelb nuk ka praktikisht asnjë rregull të imponuar ndaj përfaqësuesve të tyre dhe një zbatim shumë të dobët të këtyre rregullave etike”.

Për më tepër, regjistri i BE-së kërkon vetëm një përditësim vjetor, dhe nuk ofron ndonjë informacion kuptimplotë rreth lobimit për ligje specifike dhe çështje politikash, duke e bërë të vështirë gjurmimin e aktiviteteve lobuese. Dhe pastaj është famëkeqja “dera rrotulluese” e Brukselit, e cila i lejon komisionerëve, eurodeputetëve dhe zyrtarëve të BE-së që të bëhen pjesë e këtyre kompanive kur largohen nga detyra, siç është lëvizja e fundit e ish-presidentit të Komisionit Evropian Barroso në bankën “Goldman Sachs”, apo kalimi i Komisioneres Neelie Kroes në Uber dhe Bank of America. Por kjo “derë” lëviz edhe në anën tjetër. Kështu drejtori aktual ekzekutiv i Agjencisë Evropiane të Mjekësisë, Emer Cooke, ka punuar më parë për EFPIA, organizata më e madhe e lobimit farmaceutik në Evropë.

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 20.12.2022 09:39