Policia belge arrestoi eurodeputeten socialiste greke Eva Kaili , një nga nënkryetaret e Parlamentit Evropian. Kaili është arrestuar në Bruksel këtë të premte.
Arrestimi, shkruajnë mediat e huaja ka lidhje me një hetim mbi korrupsionin që implikon Katarin mikpritës të Kupës së Botës .
Gjithashtu, gazeta belge Le Soir raporton se autoritetet kanë kryer kontrolle në banesën e eurodeputetes dhe kanë arrestuar partnerin e saj në lidhje me skandalin.
Më shumë se 15 kontrolle janë kryer nga Agjentë të Zyrës Qendrore kundër Korrupsionit në Bruksel dhe katër persona janë rënë në pranga.
Midis tyre, Luca Visentini sekretar i Përgjithshëm i sapozgjedhur i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave, ish-deputeti i S&D, Pier-Antonio Panzeri si dhe FG, ish-asistent parlamentar i z. Panzeri, bashkëpunëtor aktual i lidhur me grupin S&D dhe bashkëshorti i Eva Kailit. Kjo e fundit e cila ra edhe në pranga, ishte gjithashtu në shënjestër të hetuesve, shkruan Le Soir.