Kur pyetet nëse do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve të 14 Majit, Sali Berisha shprehet se PD dhe populli opozitar do të qëndrojë në këmbë deri në votën e fundit, në mënyrë që shqiptarët të votojnë të lirë. Në një lidhje me emisionin “Opinion”, Berisha u shpreh se “ne do përballemi me këtë qeveri me çdo lloj pozicioni, me të gjithë format e mosbindjes civile, me të vetmin qëllim: Votën e lirë të shqiptarëve. ”
Blendi Fevziu: Do ta njihni rezultatin e këtyre zgjedhjeve?
Sali Berisha: Ju keni ndjekur veprimtarinë time politike/elektorale. Kjo është e para veprimtari politike/elektorale që zhvillohet në dy kolona, në kolonën e protestave dhe kolonën e procesit elektoral. Nuk është një zgjidhje kjo. Është një zgjidhje tmerrësisht e imponuar, pikërisht për shkakun që ju thatë. Se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Ndaj dhe PD dhe populli opozitar do të qëndrojë në këmbë deri në votën e fundit. Do qëndrojë, jo vetëm për të mbrojtur votën, do qëndrojë kundër armikut të votës.
Blendi Fevziu: Armikut të votës? Kjo do të thotë që do të ketë përplasje zoti Berisha?
Sali Berisha: Strategjia jonë duhet të kuptohet qartë nga çdo shqiptar. Gjithçka po bëjmë ne, vetëm për votën, jo për pushtetin si të tillë, por për votën po. Ndaj fillojmë më datën 12 protestën gjigande dhe ne do përballemi me këtë qeveri me çdo lloj pozicioni, me të gjithë format e mosbindjes civile, me të vetmin qëllim: Votën e lirë të shqiptarëve.
Blendi Fevziu: Pra do zbatoni mosbindjen civile për të mbrojtur votën?
Sali Berisha: Jo për të mbrojtur, që shqiptarët të votojnë të lirë.
Blendi Fevziu: Përpara zgjedhjeve do të ndodhë kjo, apo pas zgjedhjeve?
Sali Berisha: Tani besoj se jemi para zgjedhjeve. Mosbindjen civile do ta zbatojmë që shqiptarët të votojnë të lirë./klan