Apeli ka kthyer në burg ish-prokurorin Edmond Karriqi. Karriqi u lirua në maj 2022, ndërsa arrestimi i tij u bë më 30 qershor 2021 në Kavajë, ku edhe ka banesën e tij.
Me urdhër të Prokurorisë në pranga u vu edhe shoferi i tij Isuf Gega që dyshohet se ka bashkëpunuar me Karriqin në rolin e sekserit, që në këmbim të parave ka ndryshuar masën e sigurisë për një të arrestuar, kundrejt shumës 2 mije euro.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 30, datë 06.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me kualifikimin ligjor të veprave penale, fajësinë e të pandehurve, llojin dhe masën e dënimit për të pandehurit I.G., E.B. dhe D.D., për provat materiale si dhe për shpenzimet gjyqësore.
– Ndryshimin e këtij vendimi për pjesën tjetër në këtë mënyrë:
– Dënimin e të pandehurit E.K. me 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
– Në bazë të nenit 406, paragrafi 1, të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3 e tij, duke dënuar përfundimisht të pandehurin E.K. me 2 (dy) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
– Dënimi me burgim për të pandehurin E.K. do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
– Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht./albeu.com