Ministria maqedonase e Ekonomisw: Masat e reja anti-krizë do të fokusohen te qytetarët dhe kompanitë që prodhojnë ushqime bazë

Ministria e Ekonomisë ka filluar komunikimin me kompanitë e huaja të cilat VMRO-DPMNE i ofroi, me qëllim që pushteti të mund të sigurojë gaz dhe lëndë tjera të nevojshme për prodhim të energjisë elektrike me çmim më të lirë. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka deklaruar për Alsat, se brenda pak ditësh me njërën nga kompanitë do të takohen për të biseduar detajet.

“Unë drejtpërdrejtë kam komunikuar me kompani e cila merret me furnizimin me gaz natyror, është kompani e cila është në kuadër të kontinentit evropian, e deri në fund të kësaj jave, apo në fillim të javës së ardhshme do të ulemi së bashku me drejtorin e përgjithshëm dhe këshilltarin e kryeministrit që të negociojmë rreth kushteve, obligimeve të cilat ata mund ti kenë, por edhe ofertën sa i përket çmimit por edhe sasisë së gazit natyror për nevojën e funksionimit të TETO-s…. nëse çmimi është i favorshëm, plotësohen kushtet sipas rregullave dhe ligjeve të RMV-së atëherë do ta njoftojmë opinionin rreth detajeve”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Lidhur me masat anti-krizë që duhet të marrë Këshilli ekonomik dhe social të mërkurën e ardhshme, ministri Bekteshi thotë se fokusi i ndihmave do të jetë tek qytetarët me nevoja të veçanta, qytetarët që janë kategori sociale dhe tek pensionistët me të ardhura të ulëta. Ndërsa mjetet do të ndahen nga buxheti i shtetit të cilin Ministria e Financave e ka rishikuar.

“Me të vetmin qëllim që të ndajmë mjete për nevoja të ndryshme, mjete që do të jenë ndihmë e drejtpërdrejtë për kategoritë të cilat më së shumti kanë nevojë në ballafaqimin me rritjen e çmimeve apo inflacionin në përgjithësi në Maqedoninë e Veriut, masat janë dizajnuar, Ministria e Financave shumë shpejtë do të dalë me prezantimin e të njëjtave”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Lidhur me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë, ministri Bekteshi thotë se Ligji për konsumatorët do të kalojë së shpejti në Kuvend, ndërsa prodhuesve të ushqimeve do u ndihmohet që të mos ngrenë edhe më tej çmimet.

“Unë kam pasur takim me të gjithë prodhuesit e ushqimeve bazë në Maqedoninë e Veriut dhe ashtu siç e bëmë me shkollat fillore dhe të mesme një pjesë e konsiderueshme e tyre, do të kalojnë nga tregu i liberalizuar në tregun e rregulluar, me çmime fikse të energjisë elektrike, shumë më të ulëta nga ato të cilat janë në bursë dhe nuk do të kenë asnjë arsye për të rritur çmimet e produkteve bazë për shkak se një barrë të konsiderueshme do ta marrë shteti në zvogëlimin e çmimit të energjisë elektrike për veprimtaritë që kanë të bëjnë me prodhimin e ushqimeve bazë në Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Pas seancës së djeshme të Këshillit ekonomik në Qeveri, përfaqësuesit e lidhjes së sindikatave kërkuan që Qeveria të marrë masa urgjente për të rritur pagat sipas rritjes së inflacionit, të ndihmojë qytetarët me kartela për ushqim ndërsa punëtorët me transport falas. Nga Lidhja e odave ekonomike kërkuan që Qeveria të sigurojë energji të lirë për kompanitë që të ndihmohet biznesi dhe të ruhen vendet e punës. Takimi i radhës i Këshillit ekonomik duhet të mbahet të mërkurën e ardhshme kur Qeveria duhet të prezantojë masat konkrete./Alsat.mk