Reforma Territoriale, Veliaj: Opozita kërkon shtim të bashkive për interes personal

Kuvendi i Shqipërisë ka dakordësuar të shtojë afatin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.

Përtej vendimmarrjes për një komision që u paracaktua se do të dështonte dhe do të përfundonte pa produkt, për shkak të qëndrimeve publike të kreut të grupit të PS, Taulant Balla, duket se palët kanë kërkuar kohë për negociatat.

Kanë qenë pikërisht qëndrimet e Ballës se PS nuk do të pranojë më shumë se 61 bashki, ato që kanë detyruar demokratët të nisin negociatat me ndërkombëtarët.

Burime për ABC bëjnë me dije se Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku kanë kontaktuar me ndërkombëtarët për të kërkuar të ndërhyjnë në një proces për të cilin janë investuar tërësisht ata dhe rrezikon të minohet nga socialistët. Kanë qenë këto negociata që kanë detyruar socialistët të tërhiqen dhe të rishohin qëndrimet e tyre.

Por kryebashkiaku i Tiranës mendon se opozita kërkon shtimin e bashkive për interesin e tyre personal.

I ftuar në emisionin “Log.” në ABC me gazetarin Endri Xhafo, Veliaj tha se pyetja kryesore në politikë është çfarë i shërben popullit, jo çfarë i shërben një partie politike.

Veliaj: PD e do këtë që kur të dalë rezultati i zgjedhjeve t’i dalin ca bashki. Kjo është taktikë për interes të partisë, jo për interes të njerëzve. Shko ik pyet në Kërrabë a duan të ndahen nga Tirana. Këta nuk po pyesin popullin. Po thonë të bëjmë një reformë që partia të dalë më mirë. Nuk duhet t’i qajmë hallin partive për vota, duhet t’i qajmë hallin njerëzve për shërbime. Pyetja është çfarë i shërben popullit, këta thonë çfarë i shërben partisë. Unë them jo. Pyetja në politikë është çfarë i shërben popullit.

Për socialistët, në pozita negociuese është sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri dhe kreu i grupit të PS, Taulant Balla. Kërkesën që ndërkombëtarët të mos e ndërpresin influencën e tyre për këtë reformë kaq të rëndësishme për shqiptarët e kishte edhe bashkë kryetarja e Komisionit për reformën territoriale, Dhurata Çupi.

Reflektimin e socialistëve demokratët do ta presin deri në fund përpara se Presidenti i Republikës të dekretoj datën e zgjedhjeve vendore.


Shtuar 23.09.2022 23:17