Qindra qytetarë u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në protestën e thirrur pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Tubimi u organizua nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Në protestë morën pjesë edhe familjarët e Zekajt. Pjesëmarrësit kërkuan drejtësi për të dhe përgjegjësi nga institucionet, si dhe hapa konkretë për mbrojtjen e grave dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore.
Të lidhura
None found

Protestuesit mbanin pankarta me thirrje kundër dhunës në familje dhe kërkuan dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ndër mesazhet e përcjella ishin “Na nuk jemi vetë, e kena njana-tjetrën”, “Liri, barazi, solidaritet”, “Shteti i ka duart me gjak” dhe “Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë”.
Organizatorët dhe protestuesit kërkuan që vrasjet e grave të mos trajtohen si ngjarje të veçuara, por si problem serioz shoqëror që kërkon reagim të menjëhershëm dhe përgjegjësi institucionale.
Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. Kunati i saj, Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen, u arrestua mbrëmjen e kaluar në orë të vona. Më herët ishte arrestuar edhe ish-bashkëshorti i saj.






