Kurti përmend sërish mundësinë e luftës për gazetën kroate

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish ka folur për mundësinë e një lufte në Kosovë, duke thënë se Serbia aktualisht po armatos fuqishëm ushtrinë e saj me pajisje që i merr nga Rusia dhe Kina.

Për gazetën kroate “Vecernji list”, Kurti ka thënë se beson se do të ishte e papërgjegjshme të thuash se nuk do të ketë kurrë konflikt, derisa ngriti shqetësimet për bazat serbe në kufirin me Kosovën.

Duke thënë se rreth kufirit të Kosovës me Serbinë në anën serbe janë 48 baza operative sulmuese progresive, Kurti shtroi pyetjen se nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse vitin e kaluar Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake nga 91 që kishin planifikuar dhe në të njëjtën kohë, dy stërvitjet më të rëndësishme ushtarake që kishin qenë të njohura si “Mburoja Sllave” dhe “Vëllazëria Sllave”.

“Serbia aktualisht po armatos fuqishëm ushtrinë e saj me pajisje që i merr nga Rusia dhe Kina dhe dëshiron që Ballkani disi të vendoset si një alternativë ndaj Perëndimit demokratik”.

Ndër të tjera, Kurti ka treguar që e kundërshton kundërshton themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe sepse do të ishte “parathënie e krijimit të Republikës Srpska të re”.

Ai theksoi se përderisa serbët i kanë këto ëndrra për Kosovën si pjesë e Serbisë, këto ëndrra do të kthehen në makth për të gjithë Ballkanin, duke theksuar se në Ballkan nuk mund të ketë luftë pa Serbinë, as paqe pa shqiptarë.

Sipas Kurtit, gjëja më e rrezikshme është se lidershipi i Serbisë e konsideron Rusinë nënë e tyre dhe për këtë kemi rrethana të tilla në Ballkan me shumë rreziqe dhe frikë./Ekspress/


Shtuar 17.09.2022 16:42