Dhjetëra mijëra britanikë dhe jo vetëm që prej ditës së djeshme presin për orë të tëra pafund në radhën e pelegrinazhit popullor të trupit të Mbretëreshës Elizabeth në Pallatin e Westminsterit, për të nderuar monarken që i kushtoi 7 dekada të jetës së saj në fronin e Mbretërisë së Bashkuar.
Ashtu siç është e natyrshme në kushtet e pritjeve të gjata, lodhja është e madhe, por edhe dëshira e njerëzve për t’i dhënë lamtumirën mbretëreshës së tyre.
Lodhja, megjithatë, nuk është e pranishme vetëm te njerëzit, por padyshim edhe te rojet që qëndrojnë rreth e sipër platformës ku është vendosur prej ditës së djeshme arkivoli i Elizabeth. Këto roje i përkasin tre trupave të ndryshme ushtarake që shërbejnë si truproja dhe roje të pallatit mbretëror.
Daily Mail ka publikuar një video, ku shihet njëri prej këtyre rojeve teksa i bie të fikët mbrëmë dhe ka rënë me fytyrë përtokë në dyshemenë e gurtë të sallës së madhe.
Ngjarja ndodhi teksa kishte filluar ndërrimi i gardës dhe, sipas gazetës britanike, transmetimi i drejtpërdrejtë nga dhoma e Westminsterit u ndërpre për disa minuta pasi policia nxitoi për të ndihmuar burrin.