Dy ditë më parë, Florian Marku regjistroi fitoren e 12-të në karrierë në boksin profesionist në moshën 29-vjeçare, teksa mposhti me pikë meksikanin Miguel Parra Ramirez në duelin për titullin “WBC Silver Welterweight”. Një fitore që bëri jehonë, por sigurisht ka hapur edhe shumë diskutime. A mund të quhet një arritje për boksin shqiptar suksesi i Markut?
Zef Gjoni, trajner i Kombëtares së boksit
E kush më mirë se trajneri i kombëtares shqiptare të boksit mund t’i japë përgjigje kësaj pyetje. Kështu, gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me Zef Gjonin, i cili ia ka kushtuar jetën boksit, duke nxjerrë kampionë për dekada me radhë. Për trajnerin e kombëtares kuqezi, nuk ka asnjë dyshim: gjithçka është manipuluar që në fillim, me përfshirjen e politikës.
Gjoni e quan të turpshme pritjen e qeverisë për Florian Markun, teksa shpjegon se ky boksier nuk ka bërë asgjë për të merituar diçka të tillë. Gjoni ndalet edhe te ndeshja ndaj rivalit meksikan, Miguel Parra Ramirez, të cilën e quan një përballje të niveleve të ulëta, ndërsa thotë se Markut iu dha fitorja pa meritë.
Madje, trajneri shprehet se për Markun nuk ka kuptim vijimi i karrierës, kur nuk mundi të tregohej superior ndaj një kundërshtari që është në vend të 262-të në Botë dhe në vend të 32-të në Meksikë për peshën e tij. Gjoni gjithashtu deklaron se Shqipëria ka boksierë më të mirë në peshën e Markut, teksa përmend medalistin botëror Alban Beqirin apo Denis Nurjen. Ndërkohë që ka edhe një ftesë për “Albanian King”…
Gjoni, cili është komenti juaj për ndeshjen e Florian Markut në Tiranë?
Të them të drejtën unë kisha dëshirë që ta ndiqja ndeshjen nga afër dhe do ta inkurajoja nëse do të kisha mundësi, si gjithë të tjerët. Por nuk kemi marrë asnjë ftesë, as unë, as Federata Shqiptare e Boksit dhe asnjë boksier shqiptar. Megjithatë e kam ndjekur me shumë dëshirë dhe me vëmendje nëpërmjet televizorit. Ishte një ndeshje e manipuluar, sepse gjithçka u përfshi në rrymat politike. Nëse më parë kishte “X” persona që e mbështesnin, po mos ta politizonte duelin, ndoshta do të kishte edhe më shumë. Nuk më pëlqen që të lidhet sporti me politikën dhe të shkojë një boksier te kryeministri e të thotë: “Unë do të marr titullin kampion bote dhe ti do të fitosh zgjedhjet”. Këto janë shfaqje të turpshme për çdo shqiptar që e kupton sadopak boksin, është fyerje e inteligjencës. Është e turpshme, pasi kryeministri duhet të ketë këshilltarë dhe specialistë për sportin…
Ju thoni që nuk e meriton pritjen nga kryeministri Rama?
Pa fituar titull dhe pa fituar asgjë, u prit nga kryeministri Edi Rama, nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke u barazuar me Luiza Gegën, që erdhi me medalje ari. Ndërsa Alban Beqiri, medalist në Kampionatin Botëror dhe boksier i një niveli më të lartë, nuk është pritur nga kreu i qeverisë. Mora vesh që edhe nesër (sot) do të ketë përsëri pritje nga kryeministri për Markun. Është turp për kryeministrin dhe për të gjithë ata që do ta sjellin deri aty. Mos ta përdhosin veten më tepër, as kryeministri dhe as Erion Veliaj, duke pritur një person që nuk ka arritur asgjë në sport për të merituar ceremoni të tilla. Ju mund të prisni dhe të respektoni çdo njeri, por për merita sportive duhet të shikoni se çfarë kanë arritur këta njerëz. Po barazoni një legjendë si Luiza Gega me Florian Markun, që s’ka bërë asgjë…/Panorama/