Nga rikthimi i bujshëm i Metës në politikë, te ndryshimet në qeveri e vrasja në Elbasan, çfarë ka ndodhur në një javë

Java që po lëmë pas është shoqëruar me një sërë ngjarjesh të rëndësishme, kryesisht nga fusha e politikës. Albeu.com më poshtë ju sjell disa nga zhvillimet e javës.

Rikthimi i Metës në politikë, ndryshimi i emrit të LSI dhe shtetasi me iniciale I.M ish-sigurims

Një ditë pas dorëzoi mandatin si presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta u rikthye te partia që ai krijoi në vitin 2004, e cila gjatë kohës së tij në krye të shtetit është drejtuar nga Monika Kryemadhi. Të hënë e 25 korrikut, Lëvizja Socialiste mblodhi Konventën duke marrë dhe vendime të rëndësishme. Së pari, LSI ndryshoi emrin duke u pagëzuar si “Partia e Lirisë”, gjithashtu ndryshoi dhe logo. Kryetarja Monika Kryemadhi dha dorëheqjen dhe në vend të saj u vu, Ilir Meta. Pa kaluar shumë orë nga këto ndryshime të rëndësishme brenda partisë, të cilat sipas Metës do të sjellë “agimin” në  Shqipëri, Autoriteti i Dosjeve bën publike një shkresë në të cilën thuhet se një politikan i nivelit të lartë me iniciale I.M, ka qenë bashkëpunëtor me Sigurimin e Shtetit. Menjëherë reagimet kanë qenë të shumta, duke bërë që politika të ndahet në dy kampe, ata që besojnë se është Ilir Meta dhe ata që e mohojnë një gjë të tillë. Sot për herë të parë ka pasur dhe një reagim nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se beson dosjen dhe shtoi se me ndryshime në ligj, me kërkesë nga Autoriteti i Dosjeve, hetimi mund të thellohet. Ndërsa shtoi se, reagimet publike që po bën ish presidenti që i cilëson si “shpërthim tërbimi me piskama e lëvizje të pakontrolluara të krahavë”. Rama e krahason Metën me Berishën dhe thotë se po sulmon e shantazhon egërsisht Autoritetin e Informimit mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Edhe një përgjigje nga ana e Metës nuk ka munguar. Në një status në Facebook, ish kreu i shtetit është treguar ironik, ndërsa ka ndarë me ndjekësit pamje të disa karikaturave të kohës komuniste, për të cilat tha se ishin vepër e Edi Ramës. Ai shtoi se në shkrimin e porositur nga Sigurimi flitet për heroizmin e një “Mata Hari” shqiptare të quajtur Neta.

Shkarkohet Arben Ahmetaj, Belinda Balluku zv/kryeministre

Arben Ahmetaj nuk është më zv. Kryeministër. Vendin e tij si numri dy i Qeverisë e zuri Belinda Balluku, e cila po mban edhe postin aktual të ministres të Infrastrukturës dhe Energjisë.  Për shkarkimin e Arben Ahmetajt nga posti i zv/kryeministrit pati 103 vota pro dhe 3 kundër, nga votimi në Kuvend. Kundër votuan Monika Kryemadhi, Erisa Xhixho dhe Petrit Vasili. Arben Ahmetaj e mbajti postin për 11 muaj, ndërsa sipas Ramës ky zëvendësim ndodh pasi fokusi i qeverisë nuk do të jetë më rindërtimi që është drejt përfundimit, por sfida energjetike dhe infrastruktura. Kryeministri Rama ka falënderuar Arben Ahmetajn për kontributin në procesin e Rindërtimit dhe Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave. “Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE, ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore& Ministre Shteti pranë kryeministrit. Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre. Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon”, tha Rama.

Vrasja në Elbasan

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të shtune në lagjen “Skënderbej” në Elbasan, ku një 37-vjeçar ka goditur me thikë bashkëjetuesen. Mësohet se 37-vjeçari  Ramis Mici, ka goditur me thikë për vdekje bashkëjetuesen e tij shtetasen Jetlira Elezin, po 37 vjeçe, për shkaqe xhelozie. Si pasojë e plagëve të marra nga goditjet me thikë ajo ka humbur jetën. Ramis Mici së bashku me 37-vjeçaren jetonin në lagjen “Skënderbej” prej 4 muajsh në një banesë me qira. 37-vjecarja ishte e divorcuar dhe kishte dy fëmijë nga martesa e parë. Edhe autori i vrasjet ishte i divorcuar dhe kishte dy fëmijë nga martesa e mëparshme. Mësohet se para pesë ditësh, kishte ndodhur një sherr mes tyre dhe 37-vjeçari e kishte dhunuar bashkëjetuesen. Viktima kishte kërkuar ndihmë në polici dhe ishte pajisur me urdhër mbrojtje.  Prej asaj dite, ata jetonin në të njëjtën shtëpi por me dhoma të ndara. Sot 37-vjeçarja do të largohej nga banesa pasi kishte gjetur shtëpi tjetër. Fatmirësisht dy fëmijët e mitur nuk kane qene ne banese ne momentin e krimit. Nisur nga situata e rëndë me bashkëjetuesin Jetlira kishte dërguar fëmijët tek babai i tyre. Ndërkohë, policia është vënë në ndjekje të autorit, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes pasi ka kryer krimin.

Zjarret në vend

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ne AKMC, gjatë 24 orëve të fundit  janë raportuar 18 vatra zjarri. Nga te cilat janë shuar 16 vatra zjarri dhe janë aktive 2 vatra zjarri. Vatrat e mbetura aktive janë kthyer në problematike pasi era po favorizon flakët ndërsa në disa zona është bërë e vështirë ndërhyrja me zjarrfikëse për shkak të terrenit të vështirë. Gjithashtu në Dropull, mësohet se një banor i zonës, duke ndihmuar në shuarjen e flakëve, është asfiksuar dhe është dërguar në gjendje të rëndë në spital.  “Për shuarjen e zjarreve gjate 24 orëve janë angazhuar kapacitetet operacionale në nivelin vendor dhe ne nivelin qendror. Janë angazhuar 296 forca operacionale nga Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, Forcat e Armatosura, forca bashkiake, forca policore, AdZM, shërbimi pyjor, forca vullnetare si dhe 29 mjete zjarrfikëse dhe mjete te tjera operative”, njofton Ministria e Mbrojtjes./albeu.com