Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të hënën më 4 korrik pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ardian Hajdari, i akuzuar për veprat penale të “fshehjes së të ardhurave” dhe “deklarimit të rremë të pasurisë”. Sipas koordinatores për të drejtën e informimit pranë Gjykatës së Posaçme, Dinora Aleksi, është vendosur pushimi për veprën tjetër penale, “falsifikimi i dokumenteve”.
Prej 7 shkurtit 2022, Hajdari është pezulluar nga detyra në KPA, pasi u mor i pandehur nga SPAK. Ardian Hajdari është anëtari i dytë i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që do të gjykohet penalisht pas Luan Dacit, tashmë i shkarkuar. Daci u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për falsifikimin e formularit të aplikimit që e zgjodhi atë anëtar të Kolegjit.
Më 24 qershor 2020, Hajdari u kallëzua penalisht në SPAK me pretendimin se kishte gënjyer në aplikimin për t’u zgjedhur anëtar i KPA-së përmes falsifikimit të dokumenteve. Kallëzimi i referohej deklarimit të tij se punonte prej 17 vitesh si avokat.
I pyetur nga BIRN, anëtari i KPA-së, Ardian Hajdari u shpreh se çështja ndaj tij duhej pushuar dhe se do të vijojë betejën e tij me të “keqen”.
“Unë kam besimin dhe durimin e duhur për të pritur fjalën e fundit të gjykates së themelit. ‘Ligji është i barabartë për të gjithë’ dhe ne jemi të gjithë të barabartë para Ligjit dhe mendoj se çështja ime duhej pushuar përpara se t’i pushohej të shkarkuarve nga Vettingu, por me durim dhe besim […], beteja ime me të keqen vazhdon”, u shpreh Hajdari nëpërmjet një komunikimi në aplikacionin WhatsApp.
Në kërkesën e SPAK për dërgimin për gjykim të çështjes ndaj Hajdarit, konstatohet se në kohën kur ai ka kryer deklarimin pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI në vitin 2017 në funksion të aplikimit të tij për një pozicion në institucionet e vetingut, ka lënë bosh rubrikën lidhur me të ardhurat e krijuara më parë nga avokatia.
Sipas prokurorisë, mosdeklarimi i të ardhurave nga aktiviteti i avokatisë nuk është harresë, por është një fshehje e mirëfilltë e kryer për disa vite me radhë. Sipas verifikimet e kryera ka rezultuar se Hajdari ka përfaqësuar në cilësinë e avokatit dhjetra çështje për disa vite, por nuk i ka deklaruar në tatime të ardhurat e fituara.
SPAK vëren se prej shumë vitesh, Hajdari depozitonte pranë organeve tatimore deklarata tatimore me vlera zero ose ndonjë deklaratë me vlerë të papërfillshme. Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe pas kontrollit tatimor të kryer për shkak të kërkesës për çregjistrim, duke pasqyruar një aktivitet me të ardhura thuajse ‘zero’.
Bazuar në këto të dhëna të hetimit, SPAK konkludon se Hajdari e ka konsumuar edhe veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër qe ka detyrimin ligjor për deklarim”, parshikuar nga ne j 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, në formën e fshehjes së interesave private e konkretisht angazhimin e tij si avokat dhe të ardhurat e realizuara./BIRN