Shkrimi i DW: Si ndahen mandatet deri më tani mes PS dhe PD, parashikohet një garë e fortë

Kryetari i Partisë Social Demokrate të Shqipërisë, (PSD) Tom Doshi dha të hënën, (26.04) dorëheqjen e parevokueshme nga kandidimi në Zgjedhjet Parlamentare të së dielës si edhe nga mandati i deputetit.

Pjesëmarrja e Tom Doshit, si kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit erdhi pas refuzimit prej tij të thirrjeve këmbëngulëse të ambasadës amerikane drejtuar KQZ që të mos lejonte kandidimin e tij pasi kishte të dhëna për përfshirje “në raste madhore korrupsioni.”

Numërimi i votave për subjektet politike që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ka filluar mbrëmë në mesnatë dhe po vazhdon. Komisioneri Shtetëror i KQZ deklaroi se ai do të përfundojë brenda 48 orësh. Në 8 orët e para të ditës së sotme, (26.04) janë numëruar votat në rreth 20 përqind të 5199 kutive votimi. Sipas të dhënave të KQZ, PS kryeson me 50.19 përqind të votave, e ndjekur nga PD me 39 përqind, LSI me 7,1 përqind dhe PSD me 2 përqind. Të përkthyera në mandate deputetësh këto përqindje votash janë 66 për PS, 52 për PD , 6 për LSI dhe 3 për PSD.

Mbështetur në sondazhet e publikuara pas mesnatës së mbrëmshme analistët e Tiranës mendojnë që partia që do të shpallet fituese e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit do të ketë një diferencë të ngushtë me partitë kundërshtare.

Fjala është për PS dhe PD që në 30 vite zgjedhjesh parlamentare demokratike dhe pluraliste kanë kryer rotacionin e pushtetit në Shqipëri. Nga rezultatet e deritanishme, PS rezulton të ketë marrë më shumë vota se PD, ndërsa LSI ka humbur elektorat. Por ende është herët për të bërë parashikime, pasi votat në rreth 80 përqind të kutive pritet të numërohen në vijim.

Palët në garë parashikojnë fitoren

Kryetari i PS, Edi Rama në një reagim të dielën u shpreh, se “rezultati i vërtetë është ai që ndodhet në kutitë e votimit.” “Sondazhet, Exit poll-et, pavarësisht se na nxjerrin forcë qeverisëse, i përkasin arsyetimeve para ndeshjeve. Tani është rezultati i kutive që është dhe rezultati i ndeshjes” tha ai. Rama kërkoi që çdo numërues i votave të kryejë me përgjegjësi detyrën dhe “të numërojë në mënyrë korrekte votat që janë në kuti. Ne nuk duam thjesht rezultatin dhe konfirmimin si forcë qeverisëse, por nga ky proces duhet të dalë e fituar Shqipëria”, theksoi ai.

Nga ana e tij, kryetari i PD , Lulzim Basha i konsideroi rezultatet e deritanishme nga numërimi i votave  si”një fitore të qartë për Aleancën për Ndryshim” që kryesohet nga PD. Ai shprehu besimin se “komisionerët dhe numëruesit do ta menaxhojne procesin me përgjegjësi sipas ligjit dhe në fund të këtij procesi Shqipëria fiton”.

Në mesditë pritet edhe një konferencë shtypi lidhur me procesi zgjedhor të deritanishëm të Zgjedhjeve Parlamentare 2021 nga Ambasadorja Urzula Gacek, kryetare e Misionit të Vëzhguesve Ndërkombëtarë të ODIHR-it.


Shtuar 26.04.2021 11:56