Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka konfirmuar se Andriy Naumov, ish-zyrtar i lartë i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, është arrestuar në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në përgjigjen ndaj pyetjes së Radios Evropa e Lirë, më 14 qershor, Vuçiç tha se kishte “informacione” për Naumovin e arrestuar, por nuk zbuloi më shumë detaje nëse ai do të ekstradohej në Ukrainë.
Naumov u arrestua më 7 qershor, në pikën kufitare në jug të Serbisë, nën dyshimin për pastrim parash, ndërkaq deklarata e Vuçiçit është konfirmimi i parë zyrtar për arrestimin e ish-zyrtarit të inteligjencës ukrainase, për të cilin mediat vetëm spekuluan.
Sipas informacioneve të shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Andriy Namov u largua nga Ukraina disa orë para pushtimit rus, më 24 shkurt dhe në vendin e tij ai është nën hetim për tradhti të lartë.
Deri në publikimin e këtij teksti, askush nga autoritetet në Serbi dhe as Ambasada e Ukrainës në Beograd, nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me arrestimin.
Nuk ka përgjigje as për atë se ku ndodhet aktualisht i arrestuari dhe nëse është ngritur çështja e ekstradimit të mundshëm.
Çfarë dihet për arrestimin?
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë më 8 qershor ka njoftuar se dy persona, shtetas të Ukrainës dhe Gjermanisë, janë arrestuar teksa tentonin të largoheshin nga Serbia në pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të pastrimit të parave.
Në deklaratën zyrtare nuk thuhet identiteti i plotë i të arrestuarve, por vetëm inicialet – ukrainasi A.N. (40 vjeç) dhe shtetasi gjerman A. A. (36 vjeç).
Policia, gjatë kontrollit në veturën e tyre, ka gjetur mbi 600 mijë euro dhe rreth 125 mijë dollarë para të gatshme, si dhe gurë të çmuar (dy smeralde), vlera e të cilëve llogaritet rreth 6500 euro.
Ata akuzohen se kanë synuar që paratë dhe gurët e çmuar, “të cilët dyshohet se vijnë nga aktivitete kriminale, kanë synuar t’i transportojnë përtej pikës kufitare dhe t’i nxjerrin jashtë Serbisë”, thuhet në deklaratë.
Policia deklaroi gjithashtu se makina e markës “BMW” drejtohej nga një shtetas gjerman, ndërkaq atë e shoqëronte ukrainasi i arrestuar.
Nuk është bërë e ditur se kur dhe në cilin vendkalim kanë hyrë në Serbi, apo sa kohë kanë kaluar në këtë vend.
Departamenti i posaçëm për luftimin e korrupsionit i Prokurorisë së Lartë Publike në Nish, me urdhër të së cilit u arrestuan, nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se ku ndodhet aktualisht shtetasi ukrainas dhe kur do të sillet para gjykatës.
Pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me arrestimin, nuk u janë përgjigjur as ministritë kompetente të Serbisë, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme.
As nga Ambasada e Ukrainës në Beograd nuk ka ndonjë përgjigje se a është ajo e informuar për arrestimin dhe as për atë se a ka kërkuar ndihmën e tyre shtetasi ukrainas i arrestuar.
Kush është Andriy Naumov?
Ish-gjenerali i brigadës, Andriy Naumov iu bashkua Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) në vitin 2019, me ftesë të shefit të atëhershëm, Ivan Bakanov.
Më pas u emërua në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë së Brendshme, ku mori kompetenca dhe fuqi ndikimi të reja, më të mëdha në shërbim.
Ish-zyrtari i inteligjencës ishte objektiv i hetimeve gazetareske lidhur me korrupsionin, kontrabandën e parave dhe sendeve të tjera me vlerë jashtë vendit.
Në tetor 2020, gazetarët e “Skema”, një projekt i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë zbuluan pasurinë elitare të Naumovit, e cila është e papajtueshme me të ardhurat zyrtare të një nëpunësi shtetëror.
Këtu përfshihet një apartament me tre dhoma në një kompleks elitar në qendër të Kievit, i blerë katër herë më lirë se çmimet e tregut.
Gazetarët mësuan se ky apartament, si dhe prona pranë Kievit, ishin projektuar për nënën e tij, por që përdoreshin nga zyrtari i lartë i SBU-së.
Në janar të vitit 2021, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës njoftoi se ishte arrestuar një anëtar i shërbimit, i cili u përpoq të vriste një zyrtar të SBU-së.
Më vonë u mësua se viktima do të duhej të ishte Andriy Naumov dhe se personi që urdhëroi vrasjen dyshohet se ishte zyrtari i lartë i SBU-së, Dmitro Neskoromni.
Ata që kishin njohuri për rastin, konsiderojnë rasti kishte të bënte me luftën për epërsi brenda shërbimit.
Andriy Naumov humbi pozitën e tij në fund të korrikut 2021.
Para se të bashkohej me SBU-në, Naumov punoi në Agjencinë shtetërore për menaxhimin e zonës së shkyçjes së termocentralit bërthamor të Çernobilit.
Ai ishte përgjegjës për menaxhimin e kompleksit ekonomik të zonës së shkyçjes, si dhe për komunikimin me publikun për statusin e rrezatimit.
Ai kontaktonte kompanitë private që sjellnin vizitorë atje, ndërkaq hetuesit ukrainas sot janë të angazhuar me hetimin e aktiviteteve të udhëheqjes së atëhershme, për shkak të dyshimeve për shpërdorim të pozitës zyrtare.
Para Çernobilit, Andriy Naumov ka punuar në Prokurori për 12 vjet, si asistent i lartë i zëvendëskryeprokurorit dhe më pas si prokuror i lartë.
Për çfarë e akuzojnë në Ukrainë?
Naumov u largua nga Ukraina disa orë para sulmit rus, më 24 shkurt. Ai është nën hetim në Ukrainë, me dyshimin për tradhti të lartë.
Kjo u raportua më 29 mars nga gazetarët e Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, duke iu referuar dëshmive të burimeve të pavarura nga policia.
Sipas raportit, Naumov, i shoqëruar nga disa persona, u largua nga Ukraina më 23 shkurt, ndërkaq familja e tij u largua nga vendi më herët.
Në gjysmën e dytë të marsit të vitit 2022, policia kontrolloi disa lokacione për shkak të hetimit të Byrosë Shtetërore të Hetimit, i cili ishte nisur kundër Naumovit, sipas nenit 111 të Kodit Penal (“tradhti”).
Bastisjet u kryen në disa adresa, duke përfshirë ato të përmendura në hulumtimin gazetaresk të Radios Evropa e Lirë për pasuritë e paluajtshme elitare të zyrtarit të atëhershëm të lartë të Shërbimit të Sigurimit.
Në prill të vitit 2022, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i hoqi Naumovit gradën e gjeneralit të brigadës.
“Nuk kam kohë të merrem me të gjithë tradhtarët. Por, gradualisht të gjithë do të ndëshkohen. Kjo është arsyeja pse Andriy Olekhovich Naumov, ish-kreu i Departamentit kryesor të sigurisë së brendshme të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, nuk është më gjeneral”, tha Zelensky në një video-adresim.
Shtetasi gjerman i arrestuar, gjithashtu nën sanksionet e Ukrainës
Së bashku me Naumovin është arrestuar edhe shtetasi gjerman A. A, ndërsa portali ukrainas “Obozrevatel” shkruan se bëhet fjalë për “kontrabandistin” Alexander Akst, i cili është akuzuar disa herë për organizimin e skemave “gri” në Ukrainë.
Prandaj, në tetor të vitit 2021, presidenti i Ukrainës nënshkroi një dekret për vendosjen e sanksioneve ndaj Akstit.
Sekretari i Këshillit ukrainas për Siguri Kombëtare dhe Mbrojtje, Alexei Danilov, deklaroi se përveç ndaj Akstit, sanksionet janë vendosur edhe ndaj dy shtetasve të tjerë të Ukrainës, si dhe se në listë janë 24 kompani të lidhura me ta.
Çfarë tutje?
Akst së bashku me Naumovin aktualisht ndodhet në burgun hetues në qytetin e Nishi,t në jug të Serbisë, shkruan ukrainas “Obozrevatel”.
Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë konfirmim të këtij informacioni nga policia dhe në prokuroria e Nishit.
Naumov dhe Akst u arrestuan për shkelje doganore, sepse nuk raportuan sendet me vlerë dhe paratë, as kur kanë hyrë dhe as kur po tentonin të dilnin nga Serbia, në kufirin me Maqedoninë e Veriut.
Sipas Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, kushdo që sjell ose nxjerr më shumë se 10 mijë euro, duhet t’i raportojë ato para me rastin e hyrjes në vend, ku merr një certifikatë.
Sipas Kodit Penal të Serbisë, dënimet për transferimin e parave që burojnë nga aktivitetet kriminale, variojnë nga një deri në 12 vjet burg.
Faqja e internetit ukrainase NV spekulon se ish-zyrtari për siguri, Andriy Naumov ka informacione konfidenciale të sigurisë që ai mund t’i ndajë me autoritetet serbe, në këmbim të një dënimi më të butë ose shmangies së burgimit.
Sipas këtij portali, informacione mund të rrjedhin edhe te pala ruse dhe shërbimi i tyre inteligjent, përmes ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili, siç thuhet, konsiderohet si politikan pro-rus.
Në pyetjet e Radios Evropa e lirë, lidhur me këto pretendime, Ministria e Punëve të Brendshme nuk është përgjigjur./REL