Tabaku pas deklaratës së Ramës: Peshkaqeni i inceneratorëve jep leksione për drejtësinë e munguar, SPAK të mos stepet nga kërcënimet e tij

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka reaguar gjithashtu pas deklaratëve të kryeministrit Edi Rama sot, i cili i bëri thirrje SPAK të vërë nën hetim presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi po i soset durimi.

Në regim, Tabaku thotë se “peshkaqeni kryesor i inceneratorëve po jepte sot leksione për drejtësinë e munguar”. Ajo shkruan se SPAK nuk duhet të stepet nga kërcënimet e Ramës po të vazhdojë me hetimet dhe për të vënë para përgjegjësisë përgjegjësit e aferës 430 milionë euroshe.

Postimi i plotë:

“Peshkqeni kryesor i inceneratorëve po jepte sot leksione për drejtësinë e munguar. Ironia është që për aferën e inceneratorëve në burg janë veç 2 nga grupi strukturuar kriminal, pra cironkat si Bllako dhe Koka!

E udhës do qe që të inkurajonte SPAK për të vazhduar këto hetime që kanë zbuluar pas këmbënguljes së PD një aferë 430 mln euro. Nuk e bën këtë por mbrohet duke u ankuar se po goditen të tijtë. E trishtë! Kemi votuar SPAK jo për tu ankuar pse heton.

Inkurajoj SPAK të dërgojë përpara aferën e inceneratorëve. Të çojë përpara gjykatës GSK për 3 inceneratorët që janë 1 çështje. Korrupsioni dhe abuzimi janë gangrena e shtetit e shoqërisë tonë. Ndaj SPAK nuk duhet të stepet nga kërcënimet apo ankesat e Ramës. Shqiptarët po presin të kuptojnë kush janë peshkaqenët e vërtetë ps inceneratorëve.”

Ndërkohë, që në Kongresin e PS, në 9 prill i kërkoi Prokurorisë së Posaçme të hetojë ish-kryeministrin Sali Berishë për akuzat e DASH, duket se të njëjtën gjë shprehu sot për një tjetër kundërshtar politik. Rama tha se jo vetëm ai, por e gjithë Shqipëria e do Ilir Metën para SPAK-ut.

Kryeministri kritikoi SPAK-un se nuk kanë bërë asnjë hetim për gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vettingu, të cilët i quajti “peshq të mëdhenj”.

Kreu i qeverisë iu referua Ardian Dvoranit, që sipas tij ndonëse u cilësoi kampion i luftës kundër korrupsionit nga Sekretari i Shtetit, u shënjestrua nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa për këtë fajësoi Ilir Metën.


Shtuar 7.05.2022 16:37