Biznesmeni italian tregon si u favorizua trafiku i drogës nga një ministër shqiptar, SPAK vihet në lëvizje

Prokuroria e Posaçme pritet që të ketë një komunikim me autoritet italiane përsa i përket dëshmisë të bashkëpunëtorit të drejtësisë 54-vjeçarit, Antonio Guastalegname, pjesë e organizatës mafioze Ndrangheta”, ku ka treguar se grupet shqiptare mbështeten nga zyrtarë të lartë shtetëror, përfshirë një ministër.

Mësohet se SPAK do komunikojë me homologët italianë për të sqaruar situatën dhe për të marrë informacion nëse ka dicka konkrete për përfshirjen e shtetasve shqiptarë në aktivitete kriminale në shtetin fqinj.

Ky nuk është rasti i parë ku autoritet tona marrin informacion e indicie për të regjistruar procedim penal në vendin tonë për shtetas shqiptar si të përfshirë në aktivitet kriminal në vendin fqinj. Rasti i parë është ai i ish ministrit Tahiri, ku ky i fundit pas përgjimeve në Itali të grupit të Habiljave u mor i pandehur e më pas u dënua me 3.4 vite burg për shpërdorim detyre.

Ndërsa një vit më parë u regjistrua procedim penal në Shqipëri për përgjimet e publikuara nga prokuroria por dhe mediat italiane lidhur me komunikimet e klanit mafioz italian Ndragheta me disa emra të rëndësishëm në vendin tonë.

Në atë kohë SPAK tha se ka nisur hetimin me datë 25.01.2021, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Pas marrjes së informacioneve për rastin e publikuar në mediat italiane, SPAK do marrë vendim nëse do kemi një procedim tjetër penal apo jo edhe për këtë rast.