Operacion anti-drogë, sekuestrohen sasi kokaine dhe mijëra euro

Policia e Kosovës, në dy operacione të ndara gjatë së enjtes, arrestoi tre persona, sekuestroi 255 gramë kokainë dhe mbi 10 mijë euro.

Sipas njoftimit, sekuestrimi i parë ndodhi në Pejë, në orën 10:50, ku pas një kontrolli në shtëpinë e të dyshuarit B.L., u sekuestruan 163 qese të vogla me kokainë, dy telefona mobilë dhe 10.670 euro.

Janë bastisur edhe dy shtëpi të tjera ku dyshohet se i arrestuari i ka shfrytëzuar për fshehje dhe shitje të substancave narkotike.

Ai u arrestua dhe pas intervistimit të prokurorisë për krime të rënda, iu caktua masa e ndalimit prej 48 orësh.

Në Prishtinë, në orën 14:00, dy persona u arrestuan nën dyshimin se kanë kryer shitblerje të kokainës.

Operacioni u krye edhe në shtëpinë e njërit prej të arrestuarve në fshatin Stanovc të Vushtrrisë, ku u gjetën 200 gramë kokainë. një pushkë e gjatë dhe dy dokumente të një shteti të huaj./albeu.com


Shtuar 28.04.2022 19:00