Artisti shpesh ka folur për “Portokallinë” ku ka treguar se ka qenë ndoshta vendi i vetëm ku ka punuar dhe ka pasur ‘bërryla’. I ftuar në D-Night Juli tha se 90% të rasteve ku ai ka punuar nuk ka pasur një gjë të tillë, pasi secili pjesëtar në skuadrën e tij ka parë gjithmonë punën e vet.
“Në profesionin tonë nuk lejohet të sëmuresh e të kesh halle, nuk lejohet të kesh probleme d.m.th. në thonjëza e gjitha kjo sepse edhe ne kemi probleme, halle dhe shqetësime, por tani dalim të bërrylat. Ne jemi komunitet shumë i vogël të them të drejtën në raport me komunitetet e tjera. Ka shumë juristë, ka shumë ekonomistë, ka shumë sportistë, por ka shumë pak artistë në këtë vend. Më vjen nganjëherë keq se nuk jemi bërë të gjithë bashkë për t’ia arritur një qëllimi të përbashkët dhe kjo do të thotë që ne me njëri-tjetrin nuk jemi në atë marrëdhënie që duhet të kishim, pra nuk funksionojmë si një trup i vetëm. E kemi parë në rastin e teatrit ku u shkalafitëm të tërë, ose jo u shkalafitëm por u shkalafitën sepse unë nuk u shkalafita. U shkalafit si kauzë sepse disa u blenë e disa u shitën dhe disa u pozicionuan mirë e disa gabim, disa nuk dinin se çfarë kërkonin e disa dinin e kështu me radhë. Nëse do të ishim bashkë të gjithë, teatri nuk do të shembej sot e kësaj dite.
Të paktën në 90% të rasteve ne nuk kemi pasur as bërryla dhe as shkopinj nëpër rrota. Pse? Sepse unë mendoj në çdo vend që kam punuar, secili prej nesh ka zënë vendin e vet të pacënueshëm nga dikush aty rreth e rrotull. Pra secili ka vlerat e veta, karakterin e vet, pagën e vet që nuk ia dimë njëri-tjetrit fare dhe mendoj se jemi të gjithë të lumtur me pozicionin që kemi dhe nuk kemi pse të kemi bërryla. Në Portokalli mund të ketë pasur bërryla, por nuk e kemi ndjerë ne atëherë sepse na vinte mirë kur na e fusni.”-tha ai.
Kjo nuk është hera e parë që aktori bën të tilla deklarata të forta për spektaklin e humorit. Kohë më parë ai ka thënë se nuk u larguan nga ‘Portokalli’, por i përzuri regjisori Altin Basha me të cilin Juli duket se nuk ka aspak raporte të mira.
“Ne nuk u larguam nga ‘Portokallia’, neve na zbuan. Ne nuk do iknim kurrë andej, na zbuan me sjelljen e tyre. Ne ishim në kulmin tonë, si mund të iknim. Ishin kapriçot e regjisorit, Altin Basha ato që çuan në largim.”– ka deklaruar aktori.
Pas largimit nga ‘Portokalli’ Juliani u bë pjesë e ‘Apartamenti 2XL’ e tanimë është në ‘Klanifornia’.